Shpërthen vullkani në Indonezi, anulohen qindra fluturime

10:04 | 6 Shtator 2026
D.H

Shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau në Indonezi ka shkaktuar ndërprerjen e qindra fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta të Xhakartës.

Operacionet u pezulluan për shkak të hirit vullkanik, duke prekur të paktën 209 fluturime dhe rreth 22 mijë e 800 pasagjerë. Ndalimi, i parashikuar fillimisht deri në orën 09:30, u zgjat deri në orën 13:30 sipas kohës lokale, shkruan Reuters.

Vullkani ka qenë aktiv që nga mbrëmja e së premtes. Hiri arriti në lartësi deri në gjashtë kilometra mbi Javë dhe deri në 15 kilometra mbi Sumatra e pjesë të provincës Banten.

Autoritetet u kërkuan qytetarëve të përdorin maska dhe mjete mbrojtëse për sytë, të kufizojnë aktivitetet jashtë dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

Për shkak të hirit janë ndërprerë edhe disa aktivitete shkollore dhe udhëtime peshkimi. Autoritetet thanë se aktualisht nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për cunami.