XHEVAT MUSTAFA
Ju gjermanët e lindët, rritët, shkolluat, e bëtë ai që njihet deri sot Karl Marksin… Por, nuk e menduat se ai do të bëhej një gjëmabartës dhe gjëmasjellës për shumicën e vendeve të botës, sidomos të Europës dhe Azisë Lindore me teorinë apo përrallën e përdhunshme e të përgjakshme të komunizmit…!
Një paradite fundgushti, në një nga lokalet e shumta në qendër të Tiranës, na rastisi t’i kishim tavolinat e kafesë afër me një çift gjerman, thuajse të një moshe me ne, burrë e grua! Nuk flisnin me zë të lartë, por mjaftueshëm sa për ti dëgjuar mirë…
-U bëmë 5 ditë në këtë vend dhe e kemi një ide…- i tha gruaja gjermane të shoqit. Si të duket?
I shoqi, intelektual mesa jepte të kuptohej edhe nga paraqitja e jashtme, nuk nxitoi ta shprehte opinionin e tij. Pas një meditimi disa sekondash, iu përgjigj:
-Edhe si një vend afrikano- aziatik apo latino – amerikan me zhvillim nën apo rreth mesatar, mbështetur më së shumti tek kultivimi dhe trafiku i drograve, me ambicie për të fluturuar drejt Europës Perëndimore, edhe kur i mungojnë krahët…Edhe pak si vend turko- arab…
Edhe pak si një çmendinë e madhe! (Wie eine große neuropsychiatrische Klinik!) Gruaja nuk e priste këtë krahasim, prandaj i hoqi vërejtjen:
-Sikur po tregohesh i ashpër me këtë cilësim…? I shoqi nënqeshi. Pastaj vazhdoi:
– Për të qenë objektiv, është vend i bukur si natyrë, por edhe problematik për shumëçka. Mund të fillohet nga mënyra dhe toni se si komunikojnë; si lëvizin me automjete; si u bien fare kot dhe vend e pa vend sirenave; si i hedhin mbeturinat nëpër trotuare, edhe kur koshat janë aty pranë e bosh! Ose nga dritaret e veturave, pa menduar se mund t’ia hedhin tjetrit në fytyrë. Por, edhe nga disa detaje të tjera, që i kemi vënë re në plazh, nëpër lokale, restorante, supermarkete, autobuzë, nën ura, që qelben si wc…! Kanë paga e pensione disa fish më të ulët dhe shumicën e çmimeve më të larta se tek ne…
-Mua më bëri përshtypje mungesa e hekurudhave, metrosë, tramvajeve…-shtoi e shoqja. Në çdo orë të ditës autobuzët janë po plot, me njerëzit ngjeshur si sardelet në kutia…!? Jo pak, edhe të besdisshëm, edhe nga era e trupave prej ditësh të palarë, ndërsa disa meshkuj edhe nga duart e gjata ndaj femrave të reja…!?
Sinqerisht u ndjeva keq! U mëdysha t’i flisja po në gjermanisht, për të justifikuar sado pak do të mundesha…Por, nuk më la gruaja.
-Mos i vono me llogje politike dhe patriotizmi Shqipërie! Nuk thanë asgjë të padrejtë e me dozë racizmi…Bile, meritojnë të falënderohen! Na treguan disa nga të këqijat e moçme, që na janë bërë të natyrshme, si rrobat e trupit! Na ndihmuan edhe të njohim më mirë vetveten, si popull e vend…!
Ky çift foli edhe për ca çështje e përshtypje të tjera, por unë përfshiva vetëm këto…Kur u ngritën për t’u larguar, nuk mu durua, e tërhoqa lehtë gruan time dhe iu prezantuam. Pastaj u dhashë të drejtë dhe i falenderova. Gruaja ishte arsimtare, i shoqi sociolog… Jetonin në Hanover… Kur u tregova se jam gazetar, burri më tha me humor:
– Ju lutem, mos i shkruani këto që dëgjove nga ne! Folëm thjeshtë si turistë…!
Nuk u premtova se biseda e tyre do të mbetej “Top sekret” mes nesh…Pasi e pyeta nëse kishin kohë e nuk nxitonin për të shkuar diku tjetër, i ftova të hanim nga një akullore. Ai foli me gruan dhe ajo pranoi me kënaqësi. Pasi u ulëm dhe na sollën akulloret, iu drejtova Hendrikut (kështu quhej burri):
-Kjo Shqipëri që ju e keni njohur fort mirë edhe brenda pak ditëve dhe e përshkruat saktësisht, si sociolog dhe si gazetar, është viktimë edhe e Gjermanisë suaj!
Hendriku më nguli sytë me vëmendje. Ndoshta mendimi i tij i parë ishte tek pushtimi gjerman më 1943-1944…
-Nuk e kam fjalën për pushtimin nga ushtria e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore…-ia largova krejt dyshimin tek ajo periudhë pushtimi rreth 16 mujore, për më tepër as pushtim klasik e i plotë, për deri sa nuk kishte pasur shkelje nga ushtria gjermane në çdo qytet, krahinë e fshat dhe kishte lejuar vetëqeverisjen nga institucione me përbërje dhe drejtim nga pushtetarë dhe zyrtarë shqiptarë si dhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e me trojet shqiptare në Maqedoni dhe Malin e Zi…
-Atëherë…?- më nxiti ai të shprehesha më hapur. Përse Shqipëria qenka viktimë edhe e Gjermanisë sime apo tonë?
-Prej Karl Marksit dhe komunizmit të tij…- nisa ti hapem. Ju gjermanët e lindët, rritët, shkolluat, e bëtë ai që njihet deri sot…Por, nuk e menduat se ai do të bëhej një gjëmabartës dhe gjëmasjellës për shumicën e vendeve të botës, sidomos të Europës dhe Azisë Lindore me teorinë apo përrallën e përdhunshme e të përgjakshme të komunizmit…! Ndoshta disa nga liderët e atëhershëm qeverisës dhe të shërbimeve sekrete edhe e kanë paramenduar. Edhe mund ta kenë përzgjedhur dhe mbështetur…A ju duket krejt e rastësishme dhe pa një qëllim e llogari të largët që Marksi do të shkruante teorinë e revolucionit e të komunizmit në Gjermani dhe Angli, ndërsa Lenini do ta zbatonte në Rusi e në vende të tjerë të Lindjes, me mbizotërim të popullsisë me banim dhe origjinë në fshat, deri në 65-75%, sa më larg Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Spanjës, Holandës, Belgjikës, Anglisë, vendeve nordike? Si një nga viktimat e shumta të komunizmit të Karl Marksit, të Frederik Engelsit, Vladimir Iliç Leninit, të Stalinit, të Mao Ce Dunit, të Enver Hoxhës…Shqipëria, me shumicën e popullit me bindje komuniste dhe enveriste dhe me votë për “të majtën”, ka 82 vjet që renditet në vendet më të pazhvilluara e më të varfra jo vetëm në Europë, por në mbarë botën. Ajo është sot unikale apo sui generis! As komunisto- socialiste, as social demokrate e as kapitaliste, as DEMOKRATIKE dhe as DIKTATURË KLASIKE, por një “turli mikse”, politikisht. Për më keq, me dozë të lartë komunistifikimi në shumicën e popullit, edhe pse kanë përjetuar si në ferr gjatë viteve të diktaturës komuniste…! Tani të realizohet dekomunistifikimi i kësaj popullsie është ngjashëm sikur të rifilloje procesi i njerëzimizimit të majmunëve…!
Ndërsa heshta për pak sekonda për të ngrënë lugët e para me akullore, Hendriku hapi celularin dhe kontrolloi nëpërmjet google crome për mua…Kur i dolën plot tituj shkrimesh të freskët, buzëqeshi.
-Tani u binda plotësisht se me cilin po bisedoj…- nisi të më thoshte me sinqeritet. Si shfrytëzues edhe i literaturës historike, politike, biografike edhe në gjermanisht, pra jo vetëm i librit “Biografia e Zheni Marks” nga autorja ruse Winogradskaja (botuar në shqip më 1968), por edhe i librit të historianit francez François Kersaudy, besoj se ke dijeni për origjinën familjare të Zhenit. Ajo ishte bijë e një familjeje aristokrate, ndërsa Karl Marks birë i një familjeje të varfër. Pavarësisht kundërshtimeve që pati familja e Zhenit për martesën e tyre dhe ndërprerjes së raporteve për periudha të gjata, sidomos nga e ëma dhe nëpërmjet vëllait, ministër i brendshëm i Prusisë, kur familjes Marks iu ndërpre mbështetja financiare nga Engelsi, si rrjedhojë e një sherri mes dy miqve, ata e ndihmuan të bijën edhe financiarisht. Kjo ndihmë iu shtua në periudhën e sëmundjes së Zhenit dhe të mjekimit të gjatë të saj…Besoj se ma kuptove nëntekstin…Marksit mund ti jetë kërkuar, natyrisht jo me letra me shkrim, të arkivuara dhe krejt gratis, nga vëllai i Zhenit që teorinë dhe praktikën e komunizmit e të revolucionit komunist ta eksperimentojë jo në Gjermani, por sa më larg saj, andej nga vendet e Lindjes. Nuk u befasova nga ky informacion i këtij sociologu gjerman. Sepse lidhur me këtë temë kisha lexuar në gjermanisht dhe në shqip. Edhe kisha shkruar rreth 30 vite më parë, duke e shprehur më hapur dyshimin se si u bë e mundur që komunizmi ta ndajë Europën si në mes, me një Mur Kinez apo Mur Berlini, duke arritur të kapë pushtetin vetëm në vendet e Lindjes së saj. Atëherë, në mos gaboj në fillim të vitit 2000, gjeta një shkrim në një gazetë gjermane, që aludonte për mundësinë e rekrutimit nga Shërbimi Sekret Prusian të Marksit e Leninit(kur jetonte në Zvicër), pikërisht për këtë qëllim, duke u shfrytëzuar lidhja familjare e Zhenit, edhe pse e ftohtë, me ish ministrin e brendshëm të Prusisë, gjysmë vëllain e saj, nga martesa e parë e babait. Ferdinand von Westphalen u bë një politikan konservator dhe shërbeu si Ministër i Brendshëm i Prusisë midis viteve 1850- 1858. Gjatë kësaj kohe, ai bënte “gjueti politike” ndaj marksistëve dhe revolucionarëve të tjerë në Gjermani, përfshirë edhe ndaj motrës dhe dhëndrit të tij. Por, autori vetëm aludonte në mënyrë hipotetike e nuk jepte prova apo fakte me shkrim për një lidhje të fshehtë mes Marksit dhe Ferdinand von Westphalen, sidomos gjatë periudhës së shkurtër kur patën një “paqe të brishtë”! Mundet që për këtë të ketë ndikuar edhe jeta tejet e vështirë e familjes Marks, me mungesa të shpeshta në ushqime, ilaçe, ngrohje, veshje… si dhe me sëmundje të befta e fatale, me vdekjen e 4 nga 7 fëmijëve fare të vegjël, nga 0- 7 vjeç. Gjithsesi, fakt historik ishte dhe mbetet: Komunizmi rrëmbeu pushtetin dhe instaloi qeverisje diktatoriale në vende të Lindjes së Europës dhe të Azisë, ndërsa Kapitalizmi, duke u socializuar dhe demokratizuar vazhdimisht, mbijetoi me epërsi të shumanshme e të ndjeshme ndaj gjase komunizmo-socializmit në vende të Europës Perendimore, nga Austria deri në Portugali…! Përsëri nuk mund ta përmbaj pyetjen: gjithçka ndodhi krejt rastësisht apo sipas një skenari me vizion dhe objektiva të largët dhe investimesh të paramenduara e të parallogaritura? Debati është i hapur, edhe pse faktet nëpër arkiva janë varfëruar, sidomos nga duar me dorashka e të pagjurmëshe…! Panorama






