Gjatë sezonit veror, kur Dibra dhe rajoni ishin përplot me mërgimtarë, restorantet, kafiteritë, ëmbëltoret dhe byrektoret kishin punë pa ndërprerë. Në javën e parë të shtatorit, pothuajse gjysma e objekteve në fjalë janë të mbyllura. Informacionet flasin se pronarët e restoranteve, kafiterive dhe objekteve të tjera shërbyese, në pjesën më të madhe, i kanë mbyllur objektet për të pushuar. Biznesmenët dibranë këto ditë pushojnë në bregdetin shqiptar, ndërsa shërbimet për qytetarët i kryejnë ato objekte shërbyese që kanë vazhduar të punojnë.
Në rrugën kryesore të Dibrës, “Elena Gjika”, ku faktikisht ndodhet edhe pjesa dërrmuese e objekteve shërbyese, si restorantet, kafiteritë, ëmbëltoret, byrektoret dhe objektet e tjera, numri më i madh i tyre është i mbyllur.
Në bisedat telefonike që patëm me disa nga pronarët, ata na thanë se janë në pushim veror të merituar. “Jemi në pushime verore në Ksamil me familjen. Gjatë muajve të verës kishim shumë punë dhe kemi punuar pa ndërprerë. Si piceri kemi punuar pothuajse mbi 15 orë në ditë dhe vendosëm që, meqë kemi biznes familjar, edhe ne pak të pushojmë”, thotë për gazetën Koha Muamer K. Sipas tij, gjatë sezonit veror kafiteritë dhe restorantet e Dibrës kanë pasur shumë punë.
Edhe Bashkim M. thotë të njëjtën. Edhe ai është në pushim në Durrës me familjen e tij. “Shpresoj se, pas lodhjeve të shumta të familjarëve tanë, kishte nevojë të pushojmë”, tha ai. Sipas informacioneve të gazetës Koha, pushimi i pronarëve të objekteve shërbyese, si kafiteritë, restorantet, piceritë dhe ëmbëltoret, do të zgjasë vetëm një javë dhe pastaj në objektet përsëri do të fillojë puna. U mbyllën përkohësisht edhe dy restorantet e njohura që gjenden në bregun e Liqenit të Dibrës, ku gjatë sezonit veror, për t’i vizituar këto objekte, duhej të bëje rezervim paraprak.
Takuam disa dibranë, por edhe shtetas shqiptarë, me qëllim që të marrim vlerësimin e tyre për mbylljen e objekteve shërbyese në Dibër dhe në rajon. Dibrani Agim S. na tha se duhet t’i kuptojmë pronarët në fjalë. “Punuan, i mbushën xhepat dhe tani kanë nevojë për pushim”, thotë ai.
Dibranja Lindita B., e cila është nga Dibra e Vogël, Peshkopia, Shqipëri, ka një vlerësim tjetër. “Vij shpesh në Dibër të Madhe, por ja, sot nuk e gjeta hapur restorantin të cilin e vizitojmë shpesh me familjarët e mi. Pushim pronarët le të bëjnë, por stafi është dashur të vazhdojë punën”, tha ajo.
Gjatë sezonit veror, të gjitha objektet shërbyese kanë pasur shumë punë. Nëse kemi parasysh se në Dibër dhe rajon, përveç banorëve lokalë, kishte edhe disa mijëra mërgimtarë nga Amerika dhe shtetet e Europës, është e qartë se në të gjitha bizneset ka pasur xhiro dhe punë të madhe. Pronarët thonë se janë të kënaqur nga efekti financiar, por shtojnë se u duhet edhe pak pushim.






