Nga martesa te kondicioneri, komunat në RMV gjejnë 92 mënyra për t’u dhënë para qytetarëve

    Sipas një studimi të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) mbi subvencionet dhe grantet e ndara nga pushteti lokal, komunat në Maqedoninë e Veriut u japin para qytetarëve mbi gjithsej 92 baza të ndryshme. Këtu përfshihen ndihmat për të porsalindurit, nxënësit e klasës së parë, familjet në rrezik social, si dhe subvencionet për blerjen e biçikletave, kondicionerëve, dhënien e provimit për patentë shoferi dhe shumë qëllime të tjera, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Studimi tregon se gjatë vitit të kaluar komunat në të gjithë vendin shpenzuan katër milionë euro për këto qëllime, një milion euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Sipas QKQ-së, shuma e përgjithshme mund të jetë edhe më e lartë, pasi disa komuna nuk kanë dorëzuar të dhëna ose nuk i kanë raportuar të gjitha pagesat.

    Rreth 58 mijë qytetarë përfituan nga këto mjete, ose 13 mijë më shumë se një vit më parë.

    Studimi u realizua përmes kërkesave për qasje në informacione me karakter publik, të dërguara në të gjitha 81 njësitë e vetëqeverisjes lokale në vend. Tri prej tyre – Qyteti i Shkupit, Saraji dhe Çairi – nuk u përgjigjën. Disa komuna të tjera nuk ofruan të dhëna të plota, ndaj hulumtimi u plotësua me informacionet e publikuara në faqet e tyre zyrtare.

    Gjithsej 63 komuna kanë ndarë të paktën një lloj ndihme për qytetarët.

    Më shumë para për martesë në Konçe

    Në Kavadar janë paguar 2.700 denarë për blerjen e një biçiklete, në Kisella Vodë 500 denarë për një metër kub dru, në Berovë 7.000 denarë për një të porsalindur, në Shtip nga 2.000 deri në 3.000 denarë në muaj për nxënësit e talentuar, ndërsa në Ohër 13.500 denarë për kondicionerë. Këto janë vetëm disa nga bazat mbi të cilat komunat kanë ndarë para për qytetarët.

    Komuna e Konçes ka paguar nga 100 mijë denarë për personat mbi 35 vjeç që martohen. Vitin e kaluar, katër banorë përfituan mjete mbi këtë bazë, ndërsa një vit më parë nuk kishte asnjë përfitues.

    Shuma më të mëdha, deri në 200 mijë denarë, janë paguar për fasada, çati, riparimin e ashensorëve dhe ndërhyrje të tjera në ndërtesat e banimit, por këto mjete nuk kanë qenë të destinuara për përfitues individualë.

    Ndër arsyet e tjera për të cilat janë ndarë para nga buxhetet komunale janë fëmija i parë i lindur gjatë vitit, regjistrimi në klasën e parë ose në vitin e parë të shkollës së mesme, ndihma për pensionistët dhe personat në rrezik social, blerja e skuterëve, sobave dhe tabletëve, si dhe subvencionimi i faturave, transportit, parkimit dhe patentës së shoferit.

    Mjete janë ndarë gjithashtu për nxënësit më të mirë të gjeneratës, mësuesit, policët, fermerët, zjarrfikësit, mjekët dhe kategori të tjera. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për pagesa të njëhershme, ndërsa disa prej tyre jepen çdo muaj.

    Katër komuna të Shkupit ndanë gjysmën e parave

    Nga gjithsej katër milionë euro të paguara nga komunat në të gjithë vendin, pothuajse gjysma, përkatësisht 1,9 milionë euro, janë ndarë nga katër komuna të Shkupit: Aerodromi, Qendra, Kisella Voda dhe Gazi Baba. Secila prej tyre ka ndarë nga 400 mijë deri në 550 mijë euro për forma të ndryshme të ndihmës për qytetarët.

    Sipas QKQ-së, Aerodromi ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin paraprak, ndërsa komunat e tjera i kanë rritur ndjeshëm shumat e paguara gjatë vitit zgjedhor 2025, krahasuar me vitin 2024.

    Të njëjtat komuna kryesojnë edhe për nga numri i qytetarëve që kanë përfituar nga subvencionet. Nga gjithsej 58 mijë përfitues në nivel vendi, rreth 39 mijë, ose dy të tretat, janë banorë të këtyre katër komunave.

    Në vitin 2025, sipas të dhënave, Gazi Baba dhe Kisella Voda ishin të vetmet komuna që tejkaluan shifrën prej 10 mijë qytetarësh përfitues. Në të dyja komunat, pjesën më të madhe të përfituesve e përbënin nxënësit dhe pensionistët.

    Pagesat nën zërin „të ndryshme“

    Autorët e hulumtimit kanë konstatuar se secila komunë përcakton rregullat e veta për ndarjen e parave, shumën që do të paguhet dhe mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve.

    Kategoritë që përsëriten më shpesh në shumë komuna janë pagesat për të porsalindurit dhe nxënësit e klasës së parë. Shumat për një të porsalindur variojnë nga 3.000 deri në 30.000 denarë, ndërsa për një nxënës të klasës së parë nga 2.000 deri në 8.000 denarë. Dallime të mëdha ka edhe te pagesat për fëmijën e parë të lindur gjatë vitit, të cilat variojnë nga 6.000 deri në 30.000 denarë.

    Në disa komuna, nxënësve më të mirë u janë ndarë nga 5.000 denarë, ndërsa në të tjera fermerët më të mirë kanë marrë nga 30.000 denarë.

    QKQ-ja thekson se mbetet e paqartë nëse komunat kanë kompetencë ligjore për të ndarë grante të tilla nga buxhetet e tyre. Mungesa e rregullave dhe procedurave të unifikuara i përforcon këto dilema.

    Dallime ka edhe në emërtimin e pagesave, të cilat përcaktohen si ndihmë financiare, mbështetje financiare, ndihmë monetare, grant, subvencion e të tjera, por edhe në zërat buxhetorë nga të cilët sigurohen paratë. Disa komuna i ndajnë nga zëri „kryetar komune“, të tjera nga „subvencione dhe transferta“, ndërsa të tjera nga „mbrojtja sociale“, „përfitimet sociale“, „mbrojtja e mjedisit“ apo „arsimi“.

    Komunat gjithashtu janë thirrur në nene të ndryshme të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale si bazë për të drejtën e tyre për të paguar ndihma të tilla. Megjithatë, referenca më e shpeshtë ka qenë një pikë e nenit 36, sipas së cilës këshilli i komunës „kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj“.

    Lajmi Paraprak

    Inteligjenca Artificiale nuk do të përdoret më në shkollat fillore të New Yorkut

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të thotë vota “Jo” e Islandës për politikën e zgjerimit të BE-së?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë