Shkolla e Mesme e Policisë, Mickoski premton paralele shqipe “nëse plotësohen kushtet”

    Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” do të ketë paralele në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, nëse plotësohen kushtet e nevojshme. Duke iu përgjigjur çështjes së organizimit të mësimit në këtë shkollë, Mickoski tha se nxënësit e regjistruar dhe prindërit e tyre nuk duhet të kenë shqetësime lidhur me ndjekjen e mësimit në gjuhën shqipe, shkruan Nistori.

    “Po, po, absolutisht, nuk ka asnjë problem këtu. Natyrisht, nëse plotësohen kushtet, këtë vit do të ketë paralele ku mësimet do të ndiqen në shqip. Nuk duhet të ketë asnjë sfidë për asnjë nga nxënësit e regjistruar, as për prindërit e tyre”, siguroi Mickoski.

    Kryeministri foli edhe për interesimin për regjistrim në Shkollën e Mesme të Policisë, duke thënë se ai ka qenë i ulët. Sipas tij, nga rreth 453 nxënës të regjistruar, 41 që kanë kaluar filtrin e parë janë me përkatësi etnike jomaqedonase.

    Mickoski hodhi poshtë pretendimet se kjo situatë lidhet me segregacionin etnik, ndërsa shpjegoi edhe kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë për të kaluar fazën e parë të përzgjedhjes.

    “Nga gati 453 nxënës të regjistruar në shkollën e mesme, 41 në filtrin e parë janë me origjinë etnike jomaqedonase. Pra, interesi është i ulët. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë lloj segregacioni etnik. Ata që kanë kaluar filtrin e parë bazë, cili është? Duhej të kishin sjellje shembullore, të mos mungonin në orë, sepse këto janë standarde të NATO-s. Në fund të fundit, ne duam NATO-n, ne duam BE-në, kështu që duhet t’i ndjekim standardet. Vetëm ata me sjellje shembullore kalojnë në raundin e dytë. Dhe duhej të kishte një kufi prej 200 nxënësish të shkollës së mesme. Qeveria ka vendosur t’i pranojë të gjithë ata që kaluan filtrin e parë, që është sjellja shembullore”, tha Mickoski.

    Deklarata e sotme e Mickoskit vjen pikërisht pas debatit të krijuar rreth numrit të vogël të shqiptarëve të pranuar dhe çështjes nëse në Shkollën e Mesme të Policisë do të organizohet mësim edhe në gjuhën shqipe.

    Çështja e regjistrimit të nxënësve shqiptarë në Shkollën e Mesme të Policisë së fundmi ka shkaktuar reagime pasi u bë e ditur se nga 310 kandidatët e pranuar, afërsisht 10 nxënës shqiptarë janë regjistruar. Numri i ulët nxiti reagime dhe kërkesa për sqarime lidhur me kriteret dhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

    Për këtë çështje kishte reaguar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duke deklaruar se nuk ishte i pritshëm interesimi i dobët i shqiptarëve në këtë institucion arsimor. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëria Pas-Ramiste

    Lajmi i rradhës

    Zgjidhja që nuk e zgjidhi paralelen shqipe në Butel!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë