“Skejtbordingu nuk është për vajza” do ta përfaqësojë RMV-në në Oscar

    Fotografia: SKATEBOARDING IS NOT FOR GIRLS | Dina Duma | OFFICIAL TRAILER

    Filmi “Skejtbordingu nuk është për vajza”, me regji të Dina Dumës, do ta përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në garën për çmimet prestigjioze Oscar.

    Në film luajnë Efkjar Abaz, Simonida Selimovic, Dzefrina Jasari dhe Ganimet Abdula, ndërsa produksioni është realizuar nga Sisters & Brother Mitevski dhe Entre Chien et Loup.

    Filmi sjell historinë e Adelës, një vajze të re që, ndërsa familja e saj përballet me varfërinë, gjen te skejtbordingu jo vetëm pasionin, por edhe forcën për t’iu kundërvënë normave të një shoqërie tradicionale dhe konservatore.

    Përballja e saj bëhet edhe më e fortë kur Adela përpiqet ta shpëtojë motrën e saj të madhe, ende të mitur, nga një fat që duket gjithnjë e më i pashmangshëm – një martesë e rregulluar.

    Përmes historisë së Adelës, filmi trajton tema si varfëria, pabarazia gjinore, presioni i traditës, martesat e të miturve dhe lufta e vajzave të reja për liri dhe të drejtën për të vendosur për jetën e tyre. Skejtbordingu shndërrohet kështu në simbol të rezistencës dhe përpjekjes për të thyer kufijtë që shoqëria ua vendos vajzave.

    Me këtë histori, filmi i Dina Dumës do të synojë të hyjë në mesin e kandidatëve për Oscarin për filmin më të mirë ndërkombëtar. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sekuestrohen rreth 4 mijë metra rrjeta peshkimi në Liqenin e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    Ligji për përfaqësim të drejtë në pikëpyetje, Gashi: nuk e dimë nëse i kemi votat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë