E ndërsa ndodhet në Amerikë, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka qenë pjesë e një darke të shtruar nga diaspora. Gjatë fjalimit, Berisha e vendosi theksin te shifrat që sipas tij tregojnë një realitet të hidhur, “ku rreth 46% e qytetarëve e kanë braktisur vendin gjatë dekadës së fundit për shkak të asaj që u cilësua si një “regjim i drogës” në Tiranë”.
“Për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe praninë tuaj sot në këtë takim të përbashkët, mbetem shumë njohës dhe falënderues. Me besim të plotë në rolin e jashtëzakonshëm që ju keni luajtur në të shkuarën dhe do luani dhe tani, në mënyrë që të kapërcejmë një situatë në rrafshin ekzistencial kombëtar, ndër më të rëndat e regjistruar ndonjëherë në histori. Në 10 vjet, nga ajo e keqe e madhe që i ka rënë vendit, mbi 46% e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri.
Disa miq të mi kanë kaluar këto tre-katër ditë në thellësitë më të mëdha të Alpeve. Çfarë u bëri përshtypje? Lëre, ku do gjenin punëtorë filipinas, egjiptianë dhe të kombësive të tjera. Tani, ky regjim në Tiranë, ndryshe, nuk është një diktaturë totalitare. Jo, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka burgje, nuk ka skuadra pushkatimi. Por ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga.
E cila, për të kuptuar rëndësinë e saj, do t’ju them kaq: në asnjë vend të botës në 10 vite, dy monedhat më të fuqishme të planetit, dollari amerikan dhe euro evropiane, nuk kanë pësuar një rënie dramatike, respektivisht 35 dhe 32%, sa kanë pësuar në Shqipëri. Kaq janë ç’vlerësuar të gjitha eksportet e vendit, me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje. Nuk po flas për zhvlerësimin e remitencave dhe ndihmave që u çoni njerëzve tuaj në këtë shkallë.
Pra kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila është një problem planetar, nuk mund të themi se është vetëm problem shqiptar. Por në Shqipëri, në ekonomi dhe në financa, ka patur efektin më shkatërrimtar se në çdo vend tjetër. Euro është ç’vlerësuar 17% në Meksikë, dollari është ç’vlerësuar 12% në Meksikë. Unë u ndala në këtë aspekt, për të mos thënë aspektin tjetër, që kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë.
Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet. Një nga përfaqësuesit më të shquar të Parlamentit Evropian, që kryesoi ekipin e deputetëve evropianë në vëzhgimin e zgjedhjeve, u tha në parlament kolegëve të tij se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Dhe e vërteta është që kjo diktaturë një lloj si e para, zgjedhjet i ka farsë” tha ai.









