Agjencia meteorologjike e OKB-së: El Nino pritet të rrisë rrezikun e motit ekstrem deri në vitin 2027

- Parashikimi i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) tregon një “probabilitet jashtëzakonisht të lartë, prej gati 100 për qind”, që El Nino të vazhdojë deri në shkurt të vitit 2027.

Agjencia meteorologjike e OKB-së ka ka paralajmëruar se El Nino tashmë është konsoliduar dhe pritet të fuqizohet më tej në muajt e ardhshëm, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, thatësirave dhe nxehtësisë ekstreme, transmeton Anadolu.

Parashikimi i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), sipas përditësimit të saj më të fundit, tregon një “probabilitet jashtëzakonisht të lartë, prej gati 100 për qind”, që El Nino të vazhdojë deri në shkurt të vitit 2027.

I nxitur nga kushtet jashtëzakonisht të ngrohta të oqeanit në Paqësorin tropikal, El Nino pritet të arrijë intensitet shumë të lartë dhe kulmin drejt fundit të vitit 2026 ndërsa ndikimet klimatike pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027.

Sekretarja e përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo tha se thatësirat dhe përmbytjet tashmë po shkaktojnë ndërprerje dhe dëme dhe se ndikimet pritet të shtohen me intensifikimin e El Ninos.

"Kjo El Nino e jashtëzakonshme kërkon përgatitje dhe reagim të jashtëzakonshëm", tha ajo duke shtuar se WMO po punon me shërbimet kombëtare meteorologjike dhe hidrologjike për të forcuar gatishmërinë dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm.

Sipas WMO-së, temperaturat e sipërfaqes së detit në pjesën qendrore-lindore të Paqësorit ekuatorial, rajoni i lidhur me El Ninon, tashmë janë dukshëm mbi mesataren dhe vazhdojnë të rriten.

Indeksi Nino 3.4, i cili mat anomalitë e temperaturës së sipërfaqes së detit në pjesën qendrore-lindore të Paqësorit ekuatorial, ishte mesatarisht 1,5 gradë Celsius mbi normalen nga maji deri në korrik të vitit 2026 dhe arriti në 2 gradë Celsius mbi normalen në korrik.

Më pas, tha organizata, vlerat javore u rritën më tej nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit, duke variuar nga rreth 2,2 deri në 2,6 gradë Celsius mbi mesataren.

Për periudhën shtator-nëntor 2026, parashikimet e WMO-së tregojnë mundësi të shtuar për temperatura mbi normalen në pothuajse të gjitha zonat tokësore ndërsa modelet e reshjeve pritet të shfaqin ndryshime të lidhura me El Ninon e fuqishme në Paqësor.

Megjithatë, vetëm fuqia e një episodi El Nino nuk përcakton ashpërsinë e ndikimeve të tij në vende apo rajone të veçanta. WMO tha se ndikimet ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe stinës dhe mund të ndikohen nga faktorë të tjerë klimatik, përfshirë kushtet në oqeanet Indian dhe Atlantik.

Organizata tha se pritet të zhvillohet një fazë pozitive e Dipolit të Oqeanit Indian ndërsa Atlantiku ekuatorial parashikohet të mbetet përgjithësisht i ngrohtë. Këto kushte mund të përforcojnë, dobësojnë ose ndryshojnë ndikimet tipike të El Ninos në rajone të ndryshme.

El Nino dhe La Nina janë faza të kundërta të Lëkundjes Jugore El Nino (ENSO), një model klimatik që shfaqet natyrshëm. El Nino karakterizohet nga ngrohja e temperaturave të sipërfaqes së detit në Paqësorin ekuatorial qendror dhe lindor.

WMO tha se El Nino është fenomen natyror klimatik dhe nuk shkaktohet nga ndryshimet klimatike.