Nga Boldnews.al
Biznesmeni Luan Muça, pronari i grupit ekonomik “Delta Holding”, u la në masën “detyrim për paraqitje”, ndërsa për tre shoqëruesit e tij në konfliktin e ashpër që ndodhi me sipërmarrësin vlonjat, Vasil Bedinaj, në hotel “Regina” në Radhimë, Mandrit e Klaudio Lleshaj dhe Blerim Heta, gjykata e Vlorës caktoi “arrest me burg”.
Nga ana tjetër, shoferi i Bedinaj, Angjelo Breshani, që dyshohet nga Policia se ka qëlluar me pistoletë mbi automjetin në largim të Luan Muçës, u vendos në “arrest shtëpie”.
Këto janë verdiket e dhënë nga trupa gjyqësore e qytetit bregdetar mesditën e kësaj të Diele, ndërkohë që masat nuk përkojnë aspak me panoramën e rëndë që prezantoi Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, në një konferencë për media mbrëmjen e së Enjtes së javës që lamë pas.

Ngjarja e ka zanafillën mesditën e 3 shtatorit 2026. Një telefonatë mbërriti në Sallën Operative të Vlorës nga sipërmarrësi Vasil Bedinaj. Ai denoncoi se një grup prej 10 personash të armatosur kishin mësyrë në resortin e tij dhe i kishin vendosur “gjobë” 5 milionë euro, nën kërcënimin e tytave të kallashnikovëve.
Episodi mori menjëherë vëmendje të gjerë mediatike e publike. Shqipëria ka probleme me kriminalitetin, megjithatë një ngjarje, ku 10 persona të armatosur, në mes të ditës, kërcënojnë dhe gjobisin një biznesmen të rëndësishëm në Vlorë, natyrisht, nuk përbënte një ngjarje që ndodh rëndom. Madje, detajet e para duket se e rikthenin vendin në vitin e mbrapshtë 1997.
Por, orë pas ore, historia nisi të davaritej. “Kundërshtari” i Vasil Bedinaj rezultoi se ishte Luan Muça, një biznesmen i fuqishëm në Tiranë. Përfshirja e emrit të tij në këtë konflikt, krijoi pikëpyetjet e para, nëse ngjarja ishte “gjobvënie kriminale” apo një “marrëveshje financiare që nuk ka shkuar siç duhet”.
Mbrëmjen e së njëjtës ditë, kreu i Policisë së Vlorës paraqiti publikisht dinamikën e konfliktit dhe personat e përfshirë, të arrestuar e të shpallur në kërkim.
Shefi i Policisë tha se Luan Muça kishte shkuar në resortin e Vasil Bedinaj në Radhimë, i shoqëruar me disa persona të tjerë, të cilët rezultoi se ishin përfaqësues të kompanisë së sigurisë private, “Swat Security”.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty”.
Më tej, drejtori i Policisë tha se ishte kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve: Luan Muça, Klaudio Lleshaj, Mandrit Lleshaj, Blerim Heta, Angjelo Breshani, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje” e mbetur në tentativë, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dinamika e prezantuar nga shefi i Policisë së Vlorës paraqiste një situatë realisht të rëndë, me kryerjen e veprave penale serioze.
Por, vetëm tre ditë më pas, vendimet e gjykatës tregojnë një situatë shumë më të ndryshme. Nga pesë personat e arrestuar në flagrancë, vetëm tre prej tyre u lanë në masën “arrest me burg”.
Biznesmeni Luan Muça, i cili duket si një prej personazheve kyç të konfliktit, u vendos në masën “detyrim për paraqitje”. Ndërsa Angjelo Breshani, shoferi i “kundërshtarit” Vasil Bedinaj, që u arrestua nga policia se kishte qëlluar me armë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi automjetin në largim të Muçës, u vendos në “arrest shtëpie”.

Këto masa të buta, krahasuar me veprat e dyshuara paraprakisht nga Policia ngrenë një pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar situata në zyrat e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Në mungesë të vendimit të zbardhur të gjykatës, mund të ngrihen dy variante për trajtimin e ngjarjes: ose policia është nxituar në konferencën për media për atribuimin e akuzave penale ndaj personave të përfshirë, ose institucionet e drejtësisë, përfshirë prokurorinë e gjykatën, janë treguar tolerante me të paktën dy prej personave të përfshirë.
Dy pikëpyetjet
Të dhënat e deritanishme tregojnë disa anomali në përcjelljen e informacionit nga Policia në drejtim të Prokurorisë, sidomos përsa u përket dy individëve, Luan Muça e Angjelo Breshani, për të cilët u caktuan masat më të buta të sigurisë.
Në informacionin policor, u citua vepra penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e njohur gjerësisht si “gjobvënie”. Nga dinamika e ngjarjes, kjo vepër i atribuohej më së pari biznesmenit Luan Muça. Por, ndaj tij, gjykata caktoi “detyrim për paraqitje”, me shumë mundësi e pabindur për referimin e Policisë.
Në fakt, informacionet e përhapura nga kjo ngjarje tregojnë se konflikti nuk dukej se ishte një “gjobvënie klasike”. Luan Muça dhe Vasil Bedinaj rezulton se kanë marrë leje zhvillimore me firmën e kryeministrit Edi Rama në të njëjtën pronë, në zonën e Palasës, në Dhërmi.
Kjo përplasje dokumentacioni, e cila e ka origjinën në Këshillin Kombëtar të Territorit, ka vendosur përballë dy sipërmarrësit, të cilët vendosën të zgjidhin paqartësitë me argumentin e forcës.

Nga ana tjetër, Policia e Vlorës e evidentoi shtetasin Angjelo Breshani, shoferin e biznesmenit vlonjat Vasil Bedinaj, si personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të sipërmarrësit Luan Muça.
Referuar kësaj dinamike, duket se Policia i ka atribuuar veprë penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”, pikërisht Breshanit. Por, ndaj tij, gjykata caktoi “arrest në shtëpi”, një masë shumë më e butë, krahasuar me rrezikshmërinë e veprës penale.
Fakti që gjykata është treguar e butë me Breshanin, në rastin më të mirë tregon se referimi i Policisë mund të ketë qenë i paplotë për rolin e këtij personazhi në konflikt.
LEXO EDHE:
Lejet e Edi Ramës i vunë zjarrin sherrit në Radhimë/ Çfarë pretendojnë Vasil Bedinaj dhe Luan Muça














