Ferrari do ta shndërrojë këtë fundjavë në Monza në një homazh për një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së saj. 30 vite pas sezonit të parë të Michael Schumacher me skuadrën italiane, Scuderia Ferrari HP do të rikthejë në qendër të vëmendjes trashëgiminë e pilotit gjerman dhe epokën që ndryshoi përgjithmonë historinë moderne të ekipit.
Schumacher iu bashkua Ferrarit në vitin 1996 si dy herë kampion bote dhe fitoi menjëherë tri gara, përpara se të ndërtonte një nga periudhat më dominuese në Formula 1. Me Ferrarin, ai fitoi pesë tituj radhazi të pilotëve nga 2000 deri në 2004, ndërsa skuadra siguroi gjashtë kampionate radhazi të konstruktorëve nga 1999 deri në 2004.

Për të festuar këtë trashëgimi, Scuderia Ferrari do t’i japë SF-26 të Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton një dizajn special të frymëzuar nga Ferrari F310 i vitit 1996. Makinat do të kenë elemente të kuqe, të bardha dhe të zeza, rrota me detaje të arta dhe logon e Schumacher.

Por homazhi nuk do të kufizohet vetëm te makinat. Në Monza do të ekspozohen tre Ferrari ikonike të karrierës së tij: F310 i vitit 1996, F2002 dhe 248 F1 i vitit 2006. Të shtunën, Rubens Barrichello do të drejtojë F2002, ndërsa të dielën Sebastian Vettel do të bëjë një xhiro ceremoniale me të njëjtën makinë përpara garës.
F2002 do të përdorë gjithashtu një karburant të avancuar të qëndrueshëm të zhvilluar nga Shell, duke lidhur teknologjinë e së kaluarës me objektivat e Formula 1 për një të ardhme më të qëndrueshme.



Festimet do të vazhdojnë edhe në Milano dhe në Muzeun Ferrari në Maranello, ku nga 4 deri më 30 shtator do të ekspozohen pesë makinat me të cilat Schumacher fitoi titujt nga 2000 deri në 2004.
Ferrari nuk po kujton vetëm statistikat e Schumacher. Po nderon disiplinën, përkushtimin, punën unë ekip dhe obsesionin për përmirësim që e kthyen atë në një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Scuderisë.

