Instagram po ndërmerr hapa të rinj kundër përhapjes së përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale, duke vendosur masa ndaj llogarive që përdorin influencer tërësisht virtualë pa e bërë të qartë këtë për ndjekësit.
Në një postim në blog, platforma njoftoi ndryshimin e emërtimit “AI creator” në “AI-generated profile”, një formulim që synon të sqarojë më mirë se përdoruesit nuk po ndërveprojnë me një person real që thjesht përdor mjete AI, por me një profil të krijuar tërësisht nga inteligjenca artificiale.
Llogaritë që aktualisht kanë etiketën “AI creator” do të mund të rishikojnë statusin e tyre dhe ta heqin atë nëse përmbajtja e tyre nuk përputhet më me kriteret.
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me profilet që përdorin influencer të gjeneruar nga AI, por nuk vendosin etiketën përkatëse. Instagram paralajmëron se këto llogari mund të humbasin shpërndarjen organike dhe të mos shfaqen në hapësira rekomandimesh si “For You”.
Nga ana tjetër, krijuesit që e vendosin vetë etiketën “AI-generated profile” nuk do të penalizohen në reach. Instagram thotë gjithashtu se vendimi mund të apelohet dhe, nëse etiketa shtohet më pas, kufizimet mund të hiqen.
Masa vjen në një kohë kur përmbajtjet e prodhuara nga AI janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në Instagram dhe Facebook. Meta duket se po kërkon të vendosë më shumë transparencë mbi identitetin e profileve virtuale, ndërsa lufta ndaj të ashtuquajturit “AI slop” po bëhet një nga sfidat kryesore për platformat sociale.

