Nëse përdorni telefonin gjatë udhëtimit dhe përjetoni dhimbje koke ose të përziera, Google po sjell një zgjidhje të re në Android 17. Funksioni Motion Assist është krijuar posacërisht për të eleminuar këto shqetësime kur përdoruesit shikojnë ekranin ndërsa ndodhen në një automjet në lëvizje.
Motion Assist funksionon përmes pikave të animuara që shfaqen përgjatë ekranit dhe lëvizin në përputhje me lëvizjen e automjetit. Ideja është të krijohet një sinjal vizual që ndihmon trurin të harmonizojë atë që shohin sytë me lëvizjen që percepton trupi.

Koncepti është i ngjashëm me Vehicle Motion Cues, funksionin që Apple prezantoi për iPhone në vitin 2024. Google, megjithatë, ka shtuar disa mundësi personalizimi. Përdoruesit mund të ndryshojnë ngjyrën, formën dhe transparencën e treguesve, ndërsa një opsion i rastësishëm mund t’i ndryshojë automatikisht këto parametra.
Motion Assist mund të aktivizohet automatikisht kur telefoni zbulon se përdoruesi ndodhet në një makinë, autobus, tren apo mjet tjetër në lëvizje. Gjithashtu, mund të shtohet si buton në Quick Settings, për aktivizim ose çaktivizim manual.
Motion Assist ishte zbuluar për herë të parë në një version beta në dhjetor 2024, por vetëm tani po nis shpërndarja. Shërbimi po mbërrin gradualisht te telefonat Pixel me Android 17, dhe më vonë tek pajisjet e tjera.

