Në një kohë kur teknologjia po përpiqet të bëjë gjithçka më të shpejtë, një trend i çuditshëm po bën të kundërtën. Nga iPod-et dhe telefonat “dumbphone” te konsolat retro, teknologjia low-fi po fiton terren në 2026. Por dy aplikacione të reja po e çojnë nostalgjinë për epokën analoge në një tjetër nivel, pasi ju lejojnë të dërgoni mesazhe me shpejtësinë e pëllumbave si në shekullin e XIX.
Carrier Pidge, aplikacion për iOS, përdor konceptin e pëllumbit postar. Sa më larg të jetë marrësi, aq më shumë duhet të prisni. Një mesazh nga New Yorku drejt Londrës mund të kërkojë më shumë se 24 orë për të mbërritur, ndërsa ekziston edhe një probabilitet prej 0.2% që “pëllumbi” të humbasë dhe të mos arrijë kurrë.
Sigurisht, gjithçka është virtuale. Koha e dorëzimit llogaritet përmes GPS-it dhe përdoruesit mund të ndjekin udhëtimin e mesazhit në hartë. Mesazhet ruhen në “aviary”, ndërsa miqtë mund të bashkohen në një “flock”.
Një ide e ngjashme vjen nga Roost Social, i disponueshëm në iOS dhe Android. Aplikacioni, i prezantuar në maj, pretendon se ka mbi 200 mijë përdorues dhe ju lejon të zgjidhni kafshën që do të transportojë mesazhin: nga kërmijtë e deri te lakuriqët, pinguinët dhe pëllumbat. Në disa raste, dorëzimi mund të zgjasë deri në një muaj.
Në vend të njoftimeve të menjëhershme dhe presionit për t’u përgjigjur, këto aplikacione synojnë të rikthejnë pritjen, kuriozitetin dhe emocionin e marrjes së një letre.

