Formula 1 do të pushtojë Milanon në shkurt të vitit 2027, me një spektakël 3-ditor të dedikuar për tifozët. F1 Live Milan do të zhvillohet nga 18 deri më 20 shkurt dhe synon të sjellë Formula 1 më pranë publikut përmes një kombinimi të garave, argëtimit, muzikës dhe teknologjisë.
Eventi do të ndahet në dy pjesë kryesore: Milan Fan Festival, që do të zhvillohet gjatë të tre ditëve, dhe F1 The Show, një spektakël special vetëm për një natë, më 18 shkurt. Në skenë pritet të ngjiten pilotët dhe drejtuesit e të 11 skuadrave të Formula 1, së bashku me artistë dhe performanca të ndryshme muzikore.

Ideja vjen pas suksesit të F1 75 Live, eventit të zhvilluar në O2 Arena të Londrës në vitin 2025. Spektakli u transmetua në 37 territore në mbarë botën dhe tërhoqi rreth 7.5 milionë shikues. Formula 1 synon që edicioni në Milano të jetë edhe më i madh dhe më gjithëpërfshirës.
Zgjedhja e Milanos nuk është e rastësishme. Qyteti italian është një prej qendrave më të rëndësishme të kulturës, dizajnit dhe inovacionit në Evropë, ndërsa ndodhet pranë Monzës, një prej pistave më ikonike në historinë e Formula 1 dhe shtëpia e Çmimit të Madh të Italisë.
Sipas Formula 1, F1 Live Milan do të zhvillohet pak para nisjes së sezonit 2027, duke u dhënë tifozëve mundësinë të shohin nga afër pilotët dhe skuadrat përpara fillimit të një sezoni që pritet të sjellë edhe më shumë rivalitet në pistë.

Stefano Domenicali, president dhe CEO i Formula 1, tha se eventi do të vendosë tifozët në qendër dhe do t’u mundësojë atyre të mos jenë thjesht spektatorë, por të ndihen pjesë e botës së Formula 1.
Detajet për aktivitetet e festivalit dhe artistët pjesëmarrës do të zbulohen në muajt e ardhshëm. Biletat do të dalin në shitje më vonë gjatë këtij viti, ndërsa tifozët do të kenë mundësi të regjistrojnë paraprakisht interesin e tyre.

