Një valë e pazakontë mbylljesh llogarish në Instagram ka prekur gjatë ditës së djeshmet dhjetëra llogari që lidhen me “Revolucionin e Flamingove” të zhvilluar në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u morën këto vendime dhe nëse pas tyre qëndron një fushatë e koordinuar raportimesh.
Ajo që e bën situatën veçanërisht të pazakontë është koha e mbylljeve, rreth 4:00 të ditës së djeshme. Disa prej personave të prekur kanë deklaruar se humbën aksesin në llogaritë e tyre gjatë së njëjtës periudhë të natës, pa paralajmërim paraprak dhe, në disa raste, pa një mundësi të qartë për apelim. Raportime të tjera flasin për heqje të njëpasnjëshme të videove për pretendime mbi të drejtat e autorit, përpara mbylljes së plotë të disa profileve.
Në rrjet janë hedhur akuza për një sulm të koordinuar dhe manipulim të mekanizmave të raportimit të Instagram. Megjithatë, burime për Geek Room tregojnë se llogaritë janë mbyllur pas pagesave ndaj një pale të tretë apo se është përfshirë një kontraktor me akses të brendshëm të Meta-s.
Çështja tashmë ka kaluar edhe përtej debatit lokal. Partia Demokratike Evropiane i ka kërkuar zyrtarisht Meta-s sqarime mbi pezullimet dhe nëse pas tyre mund të ketë pasur raportime false apo sulme të koordinuara.
Geek Room kërkoi më shumë informacion nga Meta mbi atë që ka ndodhur dhe arsyet e mbylljes së këtyre llogarive. Kompania u përgjigj:
“Po shqyrtojmë veprimet që kemi ndërmarrë ndaj këtyre llogarive, por tashmë kemi rikthyer disa prej tyre që ishin mbyllur gabimisht. Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar. Ne kemi një proces apelimi për personat që mendojnë se kemi bërë një gabim, në mënyrë që të mund të rikthejmë përmbajtjen nëse përcaktojmë se ajo nuk shkel rregullat tona.”
Zëdhënës i Meta.
Kompania nuk ka dhënë ende detaje se çfarë e shkaktoi valën e çaktivizimeve dhe nëse ka pasur abuzim të mekanizmave të raportimit. Nëse disa prej këtyre profileve janë mbyllur gabimisht, rikthimi i tyre mund të jetë vetëm hapi i parë. Pyetja më e madhe mbetet se si dhjetëra llogari që kishin një emërues të përbashkët u përfshinë në të njëjtën valë moderimi.

