Dyson ka hyrë për herë të parë në tregun e higjienës dentare me CameraJet, një furçë elektrike që kombinon larjen e dhëmbëve me pastrimin e hapësirave mes tyre, duke përdorur një kamerë dhe inteligjencë artificiale.
Në zemër të pajisjes ndodhet një kamerë makro me 100 mijë pikselë, e vendosur pranë kokës së furçës. Ajo fotografon gojën 28 herë në sekondë, identifikon hapësirat mes dhëmbëve dhe spërkat në mënyrë automatike shpëlarës goje pikërisht në zonat ku mund të grumbullohen papastërtitë.
Dyson thotë se sistemi është trajnuar me 470 mijë imazhe dentare, duke përdorur algoritme të machine learning për të njohur hapësirat mes dhëmbëve. Kompania synon kështu të zëvendësojë përdorimin tradicional të fillit dentar, të cilin shumë njerëz nuk e përdorin rregullisht.
Shpëlarësi ruhet në një rezervuar transparent prej 12.5 ml, i integruar pranë pjesës së sipërme të furçës. Rezervuari mbushet për rreth tre sekonda përmes stacionit të dedikuar dhe, falë një sistemi që mban lëngun nën presion, CameraJet mund të spërkasë edhe kur mbahet përmbys.
Dyson ka zhvilluar gjithashtu pastë dhëmbësh dhe shpëlarës të posaçëm, të disponueshëm në shijet Ginger Mint dhe Spearmint. Pasta është pa shkumë, në mënyrë që të mos pengojë kamerën gjatë pastrimit.

