Edhe robotët humanoidë duket se nuk janë imunë ndaj shpërqendrimeve. Një video humoristike nga World Humanoid Robot Games 2026, që po zhvillohen në Pekin, Kinë, ka kapur momentin kur një robot humb ekuilibrin dhe rrëzohet në shkallë pasi tërheq vëmendjen te një grup cheerleaders.
Në pamje shihen pesë robotë humanoidë që performojnë një koreografi me paruke shumëngjyrëshe dhe funde të shkurtra. Në një moment, një robot ngjyrë argjendi ngjitet në një podium pranë skenës dhe kthen kokën drejt performancës. Kur përpiqet të zbresë nga ana tjetër, duket se shpërqendrimi i kushton shtrenjtë, pasi roboti rrëzohet kokëposhtë nëpër shkallë.
Videoja, e publikuar në X nga @Gman_EAI, ka kaluar 1.2 milionë shikime dhe ka shkaktuar një lumë komentesh humoristike.
Por ky nuk ishte i vetmi moment problematik në event. Më herët, një robot që merrte pjesë në finalen e peshëngritjes humbi kontrollin pasi ngriti peshën mbi kokë, u lëkund dhe përfundoi duke u rrëzuar mbi tavolinën e gjyqtarëve. Stafi ndërhyri menjëherë dhe e largoi robotin me barelë.
Nga ana tjetër, robotët kanë treguar edhe performanca mbresëlënëse. Një prej tyre përshkoi 100 metra për 9.39 sekonda, duke kaluar rekordin njerëzor të Usain Bolt prej 9.58 sekondash.
Garat, ku janë mbledhur mbi 2,000 robotë nga 16 shtete, përfshijnë 50 disiplina, nga futbolli e gjimnastika te peshëngritja dhe detyra si montimi i veglave dhe transporti i pakove.

