Një aksident i rëndë në punë është regjistruar mesditën e së shtunës në një subjekt privat minerar në zonën e Tërnovës së Madhe, Njësia Administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë, ku një minator 40-vjeçar ka mbetur i bllokuar në thellësi të galerisë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 13:00, shtetasi Ilir Kalaveri, 40 vjeç, banues në Burrel, me detyrë minator dhe brigadier në një subjekt privat minerar, dyshohet se ka rënë në një furnel gjatë procesit të punës. Paraprakisht, autoritetet dyshojnë se ai është mbuluar nga materiali i kromit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe efektivët e Policisë, të cilët po vijojnë operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e minatorit nga galeria. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi fatin apo gjendjen shëndetësore të 40-vjeçarit.
Sipas të dhënave të siguruara, Ilir Kalaveri punonte si minator dhe brigadier në kompaninë private “Eternal Security”.
Bulqiza vazhdon të mbetet një nga zonat me numrin më të lartë të aksidenteve në sektorin minerar, ndërsa ngjarja e së shtunës rikthen në vëmendje problematikat e vazhdueshme që lidhen me sigurinë e punonjësve në galeritë e kromit.










