Sipas projektligjit për reformën e re administrativo-territoriale të depozituar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia Klos do të shkrihet dhe do të bashkohet me Bashkinë Mat, duke bërë që qarku të kalojë nga katër bashki aktuale në vetëm tre njësi të vetëqeverisjes vendore.
Nëse drafti miratohet, Qarku Dibër do të organizohet me tre bashki: Dibër, Bulqizë dhe Mat. Ndërkohë, modeli i ri ndryshon edhe strukturën e brendshme të tyre, duke kaluar nga organizimi “Bashki–Njësi Administrative” në modelin “Bashki–Qytet–Njësi Administrative”. Kjo do të thotë se qytetet ekzistuese nuk do të humbasin statusin e tyre, por do të funksionojnë si qytete përbërëse brenda bashkive të reja.
Sipas hartës së propozuar, Bashkia Dibër do të përfshijë tre qytete: Peshkopinë, Kastriotin dhe Maqellarën. Bashkia Bulqizë do të ketë dy qytete, Bulqizën dhe Shupenzën, ndërsa Bashkia Mat do të përbëhet nga Burreli dhe Klosi, ky i fundit pas shkrirjes së bashkisë aktuale. Në total, Qarku Dibër do të ketë tre bashki, shtatë qytete dhe 35 njësi administrative.
Projektligji është pjesë e fazës së dytë të reformës administrativo-territoriale, të cilën Partia Socialiste argumenton se synon krijimin e bashkive me kapacitete më të mëdha administrative, financiare dhe teknike. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet demografike, pabarazitë ekonomike mes bashkive dhe kërkesat që lidhen me procesin e integrimit europian e bëjnë të nevojshëm riorganizimin e pushtetit vendor. Harta e re parashikohet të miratohet gjatë vitit 2026, në mënyrë që të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në nivel kombëtar, drafti parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Në total do të shkrihen 15 bashki, të cilat do të bashkohen me 13 bashki fqinje, ndërsa 33 bashki do të mbeten të pandryshuara. Sipas Partisë Socialiste, ky proces nuk nënkupton zhdukjen e qyteteve apo identitetit të tyre, pasi secili qytet do të ruajë emrin, qendrën urbane dhe përfaqësimin institucional përmes një nënkryetari dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak.
Ndryshimi që prek Qarkun Dibër ka sjellë edhe reagime politike. Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun, Denisa Vata, është shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë Klos, duke deklaruar se propozimi nuk mbështetet në analiza të publikuara dhe të verifikueshme. Ajo ka kërkuar që përpara çdo vendimmarrjeje të bëhen publike studimet teknike, ekonomike dhe sociale që justifikojnë bashkimin, si edhe të zhvillohet një konsultim real me qytetarët dhe institucionet vendore. Sipas saj, në mungesë të këtyre elementeve, bashkimi i Klosit me Matin është i pajustifikuar dhe bie ndesh me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Edhe Këshilli i Europës ka shprehur rezerva lidhur me drejtimin që po merr reforma. Në një projekt-raport monitorimi, raportuesit vlerësojnë se përpara çdo ndryshimi të hartës administrative duhet të bëhet një vlerësim i plotë i reformës së vitit 2014 dhe të zhvillohet konsultim efektiv me pushtetin vendor dhe komunitetet lokale. Dokumenti rekomandon forcimin e decentralizimit, rritjen e kompetencave dhe financimit të bashkive, duke argumentuar se problemet e pushtetit vendor nuk zgjidhen domosdoshmërisht përmes bashkimeve territoriale, por përmes rritjes së kapaciteteve administrative dhe financiare të njësive vendore.











