Tenderi i kanalizimeve në Klos, fitues shpallet bashkimi i kompanive me ofertën më të shtrenjtë

431
Qyteti i Klosit

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër sh.a ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të qytetit të Klosit, një investim me fond limit 143.5 milionë lekë, ose rreth 1.53 milionë euro, i financuar nga Buxheti i Shtetit. Kontrata iu dha bashkimit të operatorëve WOODPECKER sh.p.k. & JUBICA sh.p.k., me ofertë prej 134.6 milionë lekësh, ose rreth 1.43 milionë euro pa TVSH, pasi dy ofertat më të ulëta u skualifikuan gjatë procesit të vlerësimit.

Tenderi u zhvillua si procedurë e hapur me kriter përzgjedhjeje çmimin më të ulët. Në garë morën pjesë tre operatorë. Oferta më e ulët u paraqit nga NIKA sh.p.k., me vlerë 100.9 milionë lekë, ose rreth 1.07 milionë euro pa TVSH, ndërsa LIQENI VII sh.p.k. ofertoi 127.6 milionë lekë, ose rreth 1.36 milionë euro pa TVSH. Pavarësisht se paraqiti ofertën më të lartë nga të tre konkurrentët, bashkimi WOODPECKER & JUBICA mbeti i vetmi operator me ofertë të vlefshme dhe u shpall fitues.

Sipas vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në UKD, NIKA sh.p.k. u skualifikua pasi oferta e saj u konsiderua anomalisht e ulët. Referuar vendimit të UKD, thuhej se rezultoi se oferta ishte nën kufirin minimal të lejuar, ndaj u refuzua. Ndërkohë, LIQENI VII sh.p.k. u skualifikua për mungesa në kapacitetin teknik, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit nuk provoi disponueshmërinë e disa makinerive të kërkuara në dokumentet e tenderit.

Projekti synon ndërtimin nga e para të sistemit të kanalizimeve të qytetit të Klosit, i cili sipas relacionit teknik aktualisht funksionon me një rrjet të amortizuar, pa ndërhyrje prej rreth 25 vitesh. Ujërat e ndotura të qytetit derdhen drejtpërdrejt në lumin Mat, pa kaluar në asnjë impiant pastrimi.

Investimi parashikon ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, lidhjet individuale të banesave, rrjetin magjistral deri te impianti i trajtimit, puset e kontrollit, impiantin e pastrimit të ujërave të ndotura, tubacionin e shkarkimit pas trajtimit drejt lumit Mat, si edhe rehabilitimin e rrugëve që do të preken nga punimet. Sistemi është projektuar i ndarë nga rrjeti i ujërave atmosferike dhe do të zbatohet sipas standardeve teknike në fuqi.

Sipas dokumentacionit teknik, qyteti i Klosit ka rreth 2,200 banorë dhe 520 familje, ndërsa projekti është dimensionuar për një periudhë shërbimi 25-vjeçare. Për trajtimin e ujërave të ndotura është zgjedhur teknologjia me dekantues tip “Imhoff”, e përshtatshme për komunitete deri në 3,000 banorë, me katër vaska trajtimi që do të mundësojnë pastrimin e ujërave përpara shkarkimit në lumin Mat.

Paralelisht me tenderin e ndërtimit është zhvilluar edhe procedura për mbikëqyrjen e punimeve, me fond limit 2.39 milionë lekë, ose rreth 25,400 euro. Në këtë procedurë morën pjesë tetë operatorë ekonomikë dhe fitues u shpall bashkimi AEG-Consulting sh.p.k. & ARENA MK sh.p.k. me ofertë 2.06 milionë lekë, ose rreth 21,900 euro pa TVSH. Në ndryshim nga tenderi i ndërtimit, në procedurën e mbikëqyrjes nuk u skualifikua asnjë operator ekonomik.

Kontratat parashikojnë një afat realizimi prej 12 muajsh.

REKLAMË