FSHZ merr 6.5 miliardë lekë për të administruar shërbime që sot janë përgjegjësi e bashkive

209
Petrit Malaj, ministër i Financave

Qeveria ka vendosur t’i transferojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit një rol të ri në administrimin e disa shërbimeve që deri më tani kanë qenë përgjegjësi e bashkive. Për këtë qëllim, përmes ndryshimeve të fundit në aktin normativ të buxhetit të vitit 2026, FSHZH-së i janë shtuar 6.5 miliardë lekë, ose rreth 69 milionë euro, për ngritjen dhe funksionimin e një operatori publik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se operatori do të ofrojë mbështetje për njësitë e vetëqeverisjes vendore në fusha si menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me makineri, blerja e autobusëve dhe zbatimi i projekteve infrastrukturore.

Sipas qeverisë, krijimi i kësaj strukture vjen si përgjigje ndaj vështirësive që shumë bashki kanë hasur në ofrimin e shërbimeve publike. Mungesa e kapaciteteve teknike dhe administrative është identifikuar prej kohësh si një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në cilësinë e ulët të disa shërbimeve vendore.

Këto problematika janë evidentuar edhe pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, pavarësisht se gjatë viteve të fundit janë rritur si numri i punonjësve në administratat vendore, ashtu edhe fondet e destinuara për personelin.

Përmes operatorit të ri, ekzekutivi synon të centralizojë një pjesë të funksioneve që lidhen me investimet dhe shërbimet publike lokale, me argumentin se kjo do të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e zbatimit të tyre.

Megjithatë, ngritja e kësaj strukture pritet të ngrejë diskutime mbi kufijtë e kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij vendor, pasi disa nga shërbimet që do të mbulohen nga operatori përbëjnë funksione të parashikuara me ligj për bashkitë.

Përveç financimit prej 6.5 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit, ndryshimet në buxhet parashikojnë edhe 1 miliard lekë shtesë nga burime të financimit të huaj për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ministria e Financave ka sqaruar se fondet do të përdoren për realizimin e projekteve infrastrukturore, blerjen e pajisjeve dhe mjeteve për bashkitë, si dhe për mbështetjen e projekteve që kanë shfaqur ecuri të shpejtë në zbatim.

REKLAMË