Reforma territoriale, Rama kërkon qetësi: “Konsultimet do të zgjasin 60 ditë”, opozita akuzon për vendim të paracaktuar

299

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas kundërshtimeve që ka sjellë projektpropozimi i ri për reformën administrativo-territoriale, duke kërkuar që të mos krijohet panik dhe duke theksuar se harta e re është ende në fazën e konsultimeve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se propozimi i Partisë Socialiste nuk përbën një vendim përfundimtar dhe se qytetarët, bashkitë dhe institucionet vendore do të kenë mundësi të shprehin qëndrimet e tyre gjatë një procesi konsultimi që do të zgjasë 60 ditë.

“Kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin. Sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë”, shkroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi, ndërsa u shpreh se edhe bashkitë që preken nga ndryshimet kanë të drejtë të japin qëndrimet e tyre zyrtare.

“Sipas ligjit kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore”, tha Rama.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas kundërshtimeve që kanë nisur në disa zona të vendit, përfshirë edhe Qarkun Dibër, ku projekt-harta parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Në Klos, qytetarë, ish-drejtues vendorë dhe përfaqësues të opozitës kanë dalë në protestë kundër ndryshimit, duke argumentuar se bashkimi me Matin do të largojë shërbimet nga qytetarët dhe do të dobësojë përfaqësimin vendor.

Edhe në nivel lokal socialist ka pasur kundërshtime në disa bashki që preken nga reforma. Rama në reagimin e tij iu referua edhe debateve brenda mazhorancës, duke kritikuar raste kur, sipas tij, disa përfaqësues socialistë kanë reaguar pa e kuptuar plotësisht procesin.

“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur”, shkroi kryeministri.

Bardhi: Rama po bën konsultim formal, vendimi është marrë

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar deklaratat e Ramës, duke akuzuar kryeministrin se procesi i konsultimit është vetëm formal.

Sipas Bardhit, reforma nuk po ndërtohet mbi interesin e qytetarëve, por mbi interesa politike.

“Edi Rama nuk po zhvillon një konsultim për hartën administrativo-territoriale. Po zhvillon një konsultim formal për një vendim të paracaktuar”, deklaroi Bardhi.

Ai tha se kundërshtimet e disa socialistëve dhe drejtuesve vendorë nuk lidhen me çështje historike apo simbolike, por me shqetësime për shërbimet, përfaqësimin dhe vendimmarrjen lokale.

“Socialistët, demokratët dhe qytetarët pa parti nuk po kërkojnë privilegje. Ata po ngrenë shqetësime për një reformë që e largon vendimmarrjen prej tyre, dobëson përfaqësimin dhe rrezikon t’i lërë ata me më pak shërbime”, u shpreh Bardhi.

Sipas propozimit të Partisë Socialiste, reforma e re administrativo-territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 aktualisht në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive dhe bashkimit të tyre me njësi fqinje.

REKLAMË