Ka përfunduar me humbjen e jetës aksidenti i rëndë në punë që ndodhi një ditë më parë në një subjekt privat minerar në zonën e Tërnovës së Madhe.
Pas kërkimeve intensive që zgjatën për disa orë, ekipet e kërkim-shpëtimit, shërbimet e Policisë së Shtetit dhe personeli teknik i subjektit minerar arritën të lokalizojnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë të minatorit Ilir Kalaveri, 40 vjeç, banues në Klos.
Sipas Policisë, 40-vjeçari kishte rënë në një furnel gjatë procesit të punës dhe kishte mbetur i bllokuar nga materiali i kromit në thellësi të galerisë. Për shkak të kushteve të vështira, operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati deri në gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të tij.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertimit mjekoligjor për përcaktimin e plotë të shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Pjesë e hetimeve pritet të jenë edhe verifikimi i kushteve të sigurisë në punë, zbatimi i procedurave teknike, si dhe dokumentacioni i subjektit privat minerar ku ndodhi ngjarja.










