Qarkut Dibër i duhet Bashkia Maqellarë

375
Foto ilustruese nga Maqellara

Ka çështje që kërkojnë të mbash një qëndrim të qartë, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e mijëra qytetarëve. Për mua, reforma e re territoriale është pikërisht një prej tyre. Nëse kjo reformë do të përsërisë gabimet e vitit 2015, atëherë nuk do të kemi bërë asgjë tjetër veçse do të kemi vulosur edhe për shumë vite të tjera problemet që sot i shohim çdo ditë në qeverisjen vendore.

Kur u miratua reforma e parë territoriale, qytetarëve iu premtua se bashkitë më të mëdha do të sillnin administrim më efikas, shërbime më cilësore dhe zhvillim më të shpejtë. Pas njëmbëdhjetë vitesh, mendoj se është e drejtë t’i bëjmë një bilanc të sinqertë kësaj reforme. Fatkeqësisht, për shumë zona të vendit, dhe veçanërisht për Qarkun Dibër, ky bilanc nuk është pozitiv. Bashkitë u bënë më të mëdha në letër, por qytetari u largua nga institucioni që duhej ta kishte më pranë. Distancat u rritën, administrata u përqendrua në qytetet kryesore dhe shumë fshatra mbetën me gjithnjë e më pak vëmendje. Në vend që pushteti vendor të afrohej me komunitetin, ndodhi e kundërta.

Pikërisht për këtë arsye besoj se reforma e re territoriale duhet të ndërtohet mbi analizë dhe jo mbi kalkulime politike. Nuk duhet të jetë një proces që vendoset në tavolina zyrash, duke parë vetëm hartën administrative apo numrin e banorëve. Duhet të dëgjojë komunitetet, të marrë në konsideratë zhvillimin ekonomik, largësitë gjeografike, aksesin në shërbime dhe potencialin e çdo zone. Protesta e banorëve të Përrenjasit kundër shkrirjes së bashkisë së tyre është një sinjal që nuk mund të shpërfillet. Ajo tregon se qytetarët nuk janë më të gatshëm të pranojnë vendime të imponuara pa u pyetur dhe pa u dëgjuar.

Në këtë debat, mendoj se Qarku Dibër meriton një vëmendje të veçantë. Flitet se ai mund të mbetet me katër bashki, ashtu siç është sot. Për mua kjo do të ishte një mundësi e humbur për të korrigjuar një pjesë të problemeve që ka krijuar reforma aktuale. Dibra është një qark me terren të vështirë, me shpërndarje të madhe të popullsisë dhe me një numër të lartë njësish administrative. Administrimi i tij kërkon një organizim më racional dhe më afër qytetarit.

Dëgjesat për reformën territoriale u kthyen në një cirk bajat, ku në vend të një debati serioz mbi të ardhmen e administrimit vendor, shohim thjesht një sallë të mbushur me njerëz të PD-së dhe PS-së që zihen me njëri-tjetrin. Kjo nuk është pjesëmarrje qytetare, është teatër politik që s’i shërben askujt.

Prandaj besoj se Qarku Dibër duhet të ketë të paktën pesë bashki. Dhe nëse flasim për krijimin e një bashkie të re, nuk shoh një kandidaturë më logjike se Maqellarën.

Maqellara nuk është thjesht një njësi administrative si gjithë të tjerat. Ajo është sot njësia më e madhe administrative e Bashkisë Dibër, ndërkohë që vetë Bashkia Dibër administron plot pesëmbëdhjetë njësi. Vetëm ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një territor shumë të madh për t’u menaxhuar në mënyrë efikase nga një administratë e vetme. Nuk është e vështirë të kuptohet se sa e vështirë bëhet planifikimi i investimeve, mirëmbajtja e infrastrukturës, ofrimi i shërbimeve apo reagimi ndaj problemeve të përditshme kur një bashki duhet të mbulojë një territor kaq të gjerë.

Nga ana tjetër, Maqellara ka karakteristika që e bëjnë plotësisht të aftë për të funksionuar si bashki më vete. Pozicioni i saj gjeografik është strategjik. Ajo ndodhet pranë pikës kufitare me Maqedoninë e Veriut, çka i jep potencial të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar. Ka zhvillim të konsoliduar në bujqësi, ka aktivitet tregtar, ka qendra të banuara me peshë dhe ka mundësi për të gjeneruar zhvillim ekonomik jo vetëm për veten, por edhe për njësitë që mund t’i bashkëngjiten në një organizim të ri territorial.

Për mua, krijimi i Bashkisë Maqellarë nuk duhet parë si një kërkesë lokale apo emocionale. Duhet parë si një zgjidhje praktike për një administrim më efikas. Një bashki më pranë qytetarit do të thotë vendimmarrje më e shpejtë, më shumë përgjegjësi ndaj komunitetit dhe një mundësi më e madhe që investimet të shpërndahen në mënyrë më të drejtë. Nuk është normale që banorët e zonave të largëta të përshkojnë dhjetëra kilometra për një dokument administrativ apo për të zgjidhur një problem që mund të trajtohej në vend.

Sigurisht, krijimi i një bashkie të re nuk është zgjidhje magjike. Një bashki nuk sjell zhvillim vetëm sepse ndryshon kufijtë administrativë. Ajo duhet të shoqërohet me burime financiare, me kompetenca dhe me një administratë profesionale. Por kjo nuk e zbeh aspak faktin se organizimi territorial duhet t’i shërbejë qytetarit dhe jo anasjelltas.

Kam bindjen se çdo reformë territoriale duhet të ketë një pyetje të thjeshtë në themel: a e afron apo e largon pushtetin vendor nga qytetari? Nëse përgjigjja është se e largon, atëherë reforma ka dështuar, pavarësisht statistikave apo argumenteve burokratike. Përvoja e këtyre njëmbëdhjetë viteve na ka treguar se bashkitë shumë të mëdha nuk janë domosdoshmërisht më funksionale. Në shumë raste ato kanë krijuar më shumë centralizim, më pak përfaqësim dhe më pak kujdes për zonat periferike. Kthyer në çeta tenderimi dhe abuzimi.

Pikërisht për këtë arsye mendoj se është momenti për të korrigjuar atë që nuk funksionoi. Qarku Dibër nuk duhet të mbetet peng i një harte të vizatuar një dekadë më parë. Ai ka nevojë për një organizim që i përgjigjet realitetit të sotëm dhe potencialit të së ardhmes. Në këtë organizim, Bashkia Maqellarë nuk duhet parë si privilegj për një zonë të caktuar, por si një investim në një administrim më të mirë të gjithë qarkut.

Në fund, nuk besoj se suksesi i reformës do të matet me numrin e bashkive që do të mbeten në hartë. Ai do të matet me atë nëse qytetari do ta ndiejë pushtetin vendor më pranë, nëse shërbimet do të përmirësohen dhe nëse komunitetet do të kenë më shumë mundësi për të zhvilluar potencialin e tyre. Nëse reforma arrin këto objektiva, atëherë do të ketë kuptim. Nëse jo, do të kemi humbur edhe një tjetër mundësi për të ndërtuar një pushtet vendor që u shërben realisht njerëzve.

REKLAMË