Bashkia Bulqizë ka shpallur fituesin e tenderit për sistemimin dhe asfaltimin e lotit të parë të rrugës së kufirit, që lidh fshatin Viçisht në Njësinë Administrative Gjoricë me fshatin Klenjë në Njësinë Administrative Trebisht. Fitues i procedurës është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “UDHA” dhe “Shëndelli”, me një ofertë prej 69,3 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa fondi limit i tenderit ishte 95 milionë lekë.
Procedura e prokurimit tërhoqi interesin e 14 operatorëve ekonomikë, por pas shqyrtimit të ofertave, të gjithë konkurrentët e tjerë u skualifikuan për arsye të ndryshme teknike dhe administrative. Kontrata parashikon një afat realizimi prej 90 ditësh, sipas grafikut të punimeve.
Pesë ofertat më të ulëta, të skualifikuara
Nga dokumentet e procedurës së prokurimit rezulton se pesë operatorë ekonomikë kishin paraqitur oferta me vlerë më të ulët se oferta fituese, por asnjëri prej tyre nuk u kualifikua në fazën përfundimtare. Oferta më e ulët ishte ajo e bashkimit të operatorëve SELAMI – DESARET COMPANY, me vlerë 63,2 milionë lekë pa TVSH, e ndjekur nga L.T.E CONSTRUCTION – ZEQILLARI CONSTRUCTION me 64,9 milionë lekë, NDREGJONI – DRINI-1 me 66 milionë lekë, LIS KONSTRUKSION me 66,08 milionë lekë dhe MELA me 66,26 milionë lekë pa TVSH.
Këto oferta u skualifikuan për arsye të ndryshme, përfshirë mungesë dokumentacioni të kërkuar, mosplotësim të kritereve teknike, angazhime të mëparshme të mjeteve dhe stafit, si dhe gabime në preventiv që tejkalonin kufirin e lejuar nga rregullat e prokurimit publik. Pas përjashtimit të këtyre operatorëve, procedura vijoi me ofertën e bashkimit UDHA – Shëndelli, i cili u shpall fitues me vlerë 69,3 milionë lekë pa TVSH.
Investimi do të financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e Bashkisë Bulqizë. Kostoja e këtij projekti nuk do të përballohet brenda një viti, por do të shpërndahet në tri vite buxhetore, pasi financimi është parashikuar të kryhet me këste.
Sipas projektit teknik, ndërhyrja synon rehabilitimin e plotë të rrugës ekzistuese, e cila aktualisht paraqitet e amortizuar dhe me vështirësi të konsiderueshme kalimi, veçanërisht gjatë reshjeve dhe sezonit dimëror.
Projekti përfshin asfaltimin e një segmenti prej rreth 3,5 kilometrash, me gjerësi 4,5 metra për pjesën e asfaltuar, ndërsa trupi i plotë i rrugës, së bashku me bankinat dhe elementet anësore, do të arrijë në 5,5 metra.
Paketa rrugore është projektuar me një trashësi totale prej 39 centimetrash, e përbërë nga 20 cm shtresë çakëlli (bazë), 10 cm stabilizant, 6 cm binder asfaltik (lidhëse) dhe 3 cm tapet asfaltobetoni.
Për shkak të terrenit kodrinoro-malor, projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse prej betoni të armuar me lartësi deri në 6 metra, bankina, kuneta betoni dhe kanale kulluese për largimin e ujërave sipërfaqësore. Në kuadër të veprave të artit do të ndërtohen edhe disa lloje tombinosh — të tipit tub dhe rrethorë betoni — të projektuara për të përballuar prurjet e ujërave dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e trupit të rrugës.
Kriteret e kualifikimit dhe ndryshimi i tyre
Përpara zhvillimit të tenderit për këtë objekt, Bashkia Bulqizë kishte përcaktuar një sërë kriteresh kualifikimi për operatorët ekonomikë, të argumentuara nga Njësia e Prokurimit përmes procesverbalit përkatës. Kriteret përfshinin kapacitetet ekonomike dhe financiare, përvojën e mëparshme, licencat profesionale, certifikimet ISO, disponimin e një stafi minimal prej 44 punonjësish me profile të ndryshme teknike, si dhe makineritë e pajisjet e nevojshme për realizimin e punimeve.
Më pas, me një njoftim të datës 29 prill 2026, Bashkia Bulqizë ndryshoi disa nga kriteret fillestare, konkretisht kodet e nënkategorive të licencës profesionale të kërkuara për operatorët. Si pasojë e këtij ndryshimi, u shty edhe afati i hapjes së ofertave.
Në rast se operatorët ekonomikë të skualifikuar do të vendosin të ushtrojnë të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Bashkisë Bulqizë, procedura mund të pësojë vonesa në afatet e parashikuara për zbatimin e projektit. Sipas legjislacionit për prokurimin publik, shqyrtimi i ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) mund të sjellë pezullimin e procedurave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, duke shtyrë fazën e lidhjes së kontratës dhe nisjen e punimeve. Në këtë rast, edhe pse kontrata parashikon një afat zbatimi prej 90 ditësh, fillimi i punimeve mund të shtyhet në varësi të kohëzgjatjes së procesit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes nga institucionet përgjegjëse.










