Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka miratuar një shtesë në buxhetin e vitit 2026 në vlerën prej 2.3 milionë lekësh, fond që do të përdoret për organizimin e dy aktiviteteve kulturore “Bulqiza në festë” dhe “Verë dhe Portokalle”, si edhe për aktivitetin “Vlerësimi i ekselencës në ciklin e ulët dhe të mesëm”.
Sipas projektvendimit të miratuar, 800 mijë lekë do të shkojnë për aktivitetin “Bulqiza në festë”, 1 milion lekë për spektaklin “Verë dhe Portokalle”, ndërsa 500 mijë lekë për aktivitetin e vlerësimit të nxënësve ekselentë.
Në relacionin shoqërues të projektvendimit, administrata e Bashkisë argumenton se fondi nuk financohet nga të ardhurat e zakonshme të bashkisë, por vjen si transfertë nga Këshilli i Qarkut Dibër, miratuar me vendimin nr. 5, datë 14 prill 2026. Në shkresën zyrtare të Këshillit të Qarkut kërkohet që, pas realizimit të aktiviteteve, Bashkia Bulqizë të paraqesë dokumentacionin justifikues për përdorimin e fondeve.
Megjithatë, projektvendimi u kundërshtua nga këshilltarët e opozitës, të cilët votuan kundër dhe ngritën disa pretendime procedurale dhe politike.
Sipas tyre, projektvendimi nuk kishte kaluar më parë për shqyrtim në Komisionin e Financave dhe Ekonomisë, duke shmangur një hallkë të rëndësishme të diskutimit institucional përpara votimit në Këshillin Bashkiak.
Një tjetër argument i opozitës ishte se fondi nuk përfaqësonte një nismë të drejtpërdrejtë të Këshillit të Qarkut, por sipas tyre ishte rezultat i kërkesave të paraqitura nga përfaqësues të shumicës socialiste të Bulqizës në Këshillin e Qarkut.
Gjatë debatit, opozita akuzoi se financimi i aktivitetit “Verë dhe Portokalle” përbën në praktikë një mbështetje financiare indirekte për një organ mediatik privat, duke iu referuar spektaklit të Top Channel, i cili sipas tyre përfiton drejtpërdrejt nga organizimi i këtyre aktiviteteve. Këshilltarët opozitarë e cilësuan këtë si një përdorim të fondeve publike me ndikim politik dhe në funksion të propagandës qeveritare.
Ata propozuan që fondi të ridestinohej për investime më të nevojshme për komunitetin, duke përmendur rehabilitimin e lagjeve të qytetit të Bulqizës, të cilat, sipas tyre, ndodhen në gjendje të amortizuar dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente në infrastrukturë.
Kërkesa e opozitës nuk u mor në konsideratë nga shumica socialiste dhe administrata e bashkisë. Përfaqësuesit e administratës argumentuan se fondi ishte transfertë me destinacion të përcaktuar nga Këshilli i Qarkut Dibër dhe për këtë arsye nuk mund të përdorej për qëllime të tjera.
Ky nuk është viti i parë që Bashkia Bulqizë financon aktivitete të tilla. Edhe në qershor të vitit 2025, Këshilli Bashkiak miratoi një fond prej rreth 1.7 milionë lekësh për organizimin e dy aktiviteteve verore, ku afro 700 mijë lekë u destinuan për “Bulqiza në festë” dhe 1 milion lekë për sjelljen e trupës së spektaklit televiziv “Portokalli” me aktivitetin “Verë dhe Portokalle”.
Edhe atëherë, vendimi u shoqërua me kritika, pasi ndërkohë qyteti përballej me probleme të shumta infrastrukturore, rrugë dhe lagje të amortizuara, mungesë investimesh publike dhe nevoja të tjera prioritare.
Projektvendimi ishte një nga nëntë vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Bulqizës, ku u votuan gjithashtu Programi Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, raporti i monitorimit të buxhetit për periudhën janar–prill 2026, fondet e ndihmës ekonomike, disa ndihma financiare individuale, si dhe dy vendime që lidhen me përdorimin e fondit pyjor dhe kullosor për aktivitet minerar. Ndërsa 3 të tjera të përfshira në rendin e ditës nuk kaluan dot si pasojë e mos shqyrtimit në komisione.










