Byreku i Festimes, propaganda dhe Fushë-Bulqiza e harruar

402
Festime Mjeshtri duke përgatitur byrek, në një foto të publikuar prej saj në rrjetet sociale.

Traditat janë një pasuri e vyer dhe askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e tyre. Është e bukur të promovosh gatimet tradicionale, zakonet dhe mikpritjen që karakterizojnë zonën e Dibrës. Secili fshat ka një derë të hapur dhe mikpritje të mrekullueshme. Byreku i Fushë-Bulqizës, ashtu si shumë elementë të tjerë të kulturës sonë lokale, gjithashtu meritojnë të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi. Por problemi lind kur gjithçka reduktohet në një spektakël propagandistik me punonjësit e përulur të administratës dhe familjar të tyre, ndërsa problemet faktike të zonës lihen në harresë.

Në një moment kur vendi ka protesta të përditshme dhe qytetarët po kërkojnë llogari për mënyrën se si qeveriset Shqipëria, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri zgjedh të na tregojë se si bëhet byreku. Natyrisht, secili ka të drejtën të promovojë traditat, por drejtuesit publikë kanë edhe detyrimin të flasin për problemet e njerëzve dhe për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë për t’i zgjidhur ato.

Ironia më e madhe qëndron te fakti se aktiviteti u zhvillua pikërisht në Fushë-Bulqizë, një nga zonat që vetë banorët e konsiderojnë ndër më të diskriminuarat dhe më të lënat pas dore për sa i përket investimeve publike. Është një zonë që prej vitesh kërkon më shumë vëmendje, më shumë infrastrukturë dhe më shumë shërbime, por që vazhdon të mbetet në fund të listës së prioriteteve buxhetore të bashkisë.

Vetëm pak muaj më parë, gjatë dëgjesës publike për buxhetin e vitit 2026, banorët e fshatrave të Fushë-Bulqizës ngritën një sërë problemesh. U fol për mungesën e rrugëve të asfaltuara, për vështirësitë me ujin e pijshëm, për amortizimin e rrjetit elektrik dhe për kushte të papranueshme në shkolla. Banorët e fshatrave treguan se mungesa e infrastrukturës më bazike po e zbraz zonën dhe po i detyron të rinjtë të largohen.

Megjithatë, kur erdhi momenti i ndarjes së investimeve, Fushë-Bulqiza mbeti sërish në fund të listës. Fondet buxhetore të parashikuara për zonën gjatë qeverisjes së Mjeshtrit janë modeste dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyronin problematikat e ngritura nga vetë banorët.

Dhe pikërisht në këtë realitet, kryetarja e bashkisë shfaqet në rrjetet sociale duke gatuar byrek dhe duke folur për traditat. Është një kontrast që nuk mund të mos vihet re. Sepse banorët e Fushë-Bulqizës nuk kanë nevojë vetëm për promovimin e kulturës së tyre, pasi atë e bëjnë më së miri vetë, por ata kanë nevojë për rrugë, për ujë, për shkolla dinjitoze dhe për investime që i mbajnë njerëzit në vendlindjen e tyre.

Përdorimi i familjarëve të administratës apo i aktiviteteve të organizuara për të krijuar një imazh artificial në rrjetet sociale duke u “zgëridhir” nuk i zgjidh problemet e zonës. Përkundrazi, krijon përshtypjen se propaganda dhe marketingu politik i këshilltares nga Tirana që shkel me raste në Bulqizë, po zëvendësojnë punën konkrete dhe përgjegjësinë institucionale. Një kryetar bashkie nuk matet nga numri i videove që publikon apo nga sa bukur shfaqet duke gatuar, por nga ndikimi që ka në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Për fat të keq, jemi në qeverisjen vendore në Bulqizë, ku punohet për video dhe foto në rrjetet sociale. Mjeshtri kaloi nga festat e abetares tek gatimi i byrekut.

Bashkia Bulqizë rezulton të shpenzojë çdo muaj një shumë të konsiderueshme prej afro 1400 euro nga buxheti i saj për pozicion pune të lidhur me menaxhimin dhe promovimin e aktiviteteve në rrjetet sociale të zonjës Mjeshtri, për publikimin e fotove, videove dhe materialeve propagandistike të aktiviteteve. Këto shpenzime, të financuara nga fondet publike. Pa harruar këtu edhe shpenzime të tjera për fotograf dhe procedura tenderimi për paisje audio dhe video.

Nuk besoj se ka kundërshti që traditat duhen respektuar dhe promovuar, por ato nuk mund të përdoren si perde për të fshehur mungesën e investimeve dhe pabarazitë mes zonave të ndryshme. Fushë-Bulqiza meriton më shumë se kaq. Meritën e saj nuk e mbajnë vetëm byreku dhe mikpritja, por mbi të gjitha njerëzit që jetojnë dhe punojnë aty, të cilët prej vitesh kërkojnë vëmendje, zhvillim dhe trajtim dinjitoz.

Në fund të fundit, qytetarët kanë nevojë për më pak propagandë dhe më shumë punë konkrete. Sepse byreku është pjesë e traditës, por puna është detyrim i pushtetit vendor.

REKLAMË