Shkodra Art Residency, artistë nga Shqipëria dhe bota krijojnë në qytetin e artit…

Shpërndaje

Shkodra ka mirëpritur për disa ditë artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, në kuadër të edicionit të tretë të “Shkodra Art Residency”. Rreth 20 piktorë u bënë pjesë e kësaj nisme, duke eksploruar qytetin dhe monumentet e tij, ndërsa përshtypjet e marra gjatë qëndrimit i kthyen në vepra arti.

Për piktoren nga Beogradi, Maya Dokic, vizita në Shkodër ka qenë një përvojë e veçantë. Ajo shprehet se qyteti e ka surprizuar me përmasat, bukurinë dhe pasurinë e tij kulturore, duke veçuar kalanë, liqenin dhe Muzeun Historik ndër vendet që ka vizituar.

Kuratori i aktivitetit, Saimir Ahmeti, e konsideron këtë rezidencë artistike një mundësi për të shtuar fondin e krijimtarisë së realizuar në Shkodër, por edhe për të nxitur shkëmbimin mes artistëve.

Pjesë e këtij edicioni ishte edhe Galeria “Oda”, e cila shërbeu si hapësirë pritëse për artistët. Rozafa Shpuza vlerësoi punën e tyre dhe rëndësinë e bashkëpunimit, duke nënvizuar se galeria do të vijojë të jetë e hapur për aktivitete dhe iniciativa të kësaj natyre.

Shpërndaje