
Largimi i ministres Sala është akuza më e rëndë ndaj mënyrës si Edi Rama e ka kthyer qeverinë në një zyrë firmash personale.
Nëse është e vërtetë se ministrja zgjodhi të largohej në vend që të firmoste vendime me të cilat nuk ishte dakord, kjo vetëm sa ngre një pyetje edhe më të madhe: si funksionon realisht qeveria Rama? Ka ministra me përgjegjësi kushtetuese apo thjesht njerëz që duhet të firmosin atë që u vendoset përpara?
E megjithatë, largimi i saj nuk e fshin bilancin që lë pas.
Shëndetësia shqiptare sot është në një gjendje më të rëndë: mungesë mjekësh dhe specialistësh, spitale e qendra shëndetësore me boshllëqe serioze, mungesa barnash, qytetarë që përballen çdo ditë me vështirësi për të marrë shërbimin që u takon dhe një sistem që vazhdon të prodhojë më shumë propagandë sesa rezultate.
Evis Sala largohet pa lënë pas një reformë të dukshme, pa zgjidhur problemet themelore të sistemit dhe pa dhënë përgjigje për shumë prej krizave që qytetarët dhe profesionistët e shëndetësisë përjetojnë çdo ditë.
Nëse Evis Sala është përplasur me Edi Ramën, le ta tregojë publikisht. Çfarë iu kërkua? Çfarë nuk pranoi? Pse u largua pikërisht tani?
Shëndetësia nuk ka nevojë për një kukull tjetër në karrigen e ministrit. Ka nevojë të çlirohet nga modeli i një Kryeministri që kërkon bindje, jo ministra; firma, jo institucione; propagandë, jo rezultate.




