
Nga Damir Dibra
Nëse edhe dënimi i nostalgjisë për Mlladiqin paska “kusur historik”, morali politik paska skadue kaherë.
Kto ditë n’kuvend na e kujtuen se politika kenka “pasion e jo profesion” dhe se “n’politikë hyhet për t’i shërbye interesit publik”. Fjalë t’bukura për fushata, por krejt pa peshë kur vjen puna te veprimi konkret. Sepse te kutia e votimit nuk peshohen deklaratat e bukura, por karakteri. Nëse disa nga ju besoni se i shërbeni interesit publik, duhet ta dini se shqiptarët e Malit t’Zi nuk mendojnë se vuajtjet e tyne duhet t’shërbejnë si monedhë kusuri për karriget e sotshme.
Përballë pyetjes ma t’thjeshtë e ma me peshë t’ksaj periudhe; se a duhet ta mbajë funksionin ma t’naltë shtetnor nji njeri që publikisht shpreh ngushëllime për nji kriminel lufte t’dënuem për gjenocid?, disa shqiptarë zgjodhën me u përgjigjë me vitin 2006 dhe me “Fluturimin e Shqiponjës”. Kush nuk e din, kjo që po bajnë e ka emnin defleksion (me zhvendos vëmendjen) edhe racionalizim mbrojtës. Dmth. kur e dinë se vota e tyne e sotshme s’ka asnji shtyllë morale, kërkojnë me ngul nji histori t’vjetër e emocionalisht me mbulua zbraztinë e pozicionit t’sotshëm.
Duhet me da shapin prej sheqeri e me thanë troç. Atë ditë kur t’hyhet n’sallë për me votua shkarkimin e Andrija Mandiqit; Parlamenti i Malit t’Zi nuk do t’përcaktojë thjesht fatin e koalicionit e as reformat e pretendueme. Atë ditë Kuvendi do t’përgjigjet në nji pyetje themelore civilizuese: A asht Ratko Mlladiq kriminel lufte apo hero? Nëse votoni KUNDËR shkarkimit apo abstenoni duke u fsheh mrapa “vitit 2006”, ju nuk po e dënoni DPS-in; ju po i jepni amnisti politike atij që zyrtarisht dërgoi ngushëllime për xhelatin e Srebrenicës e t’mijëra myslimanve.
Me e nxjerrë nga arkiva persekutimin e shqiptarve t’vitit 2006 vetëm e vetëm për me gjetë nji pretekst pse po i bani hije Kryetarit t’Kuvendit sot (i cili asht vojvodë çetnik, ushtar n’vitin 99, e noshta edhe n’Bosnje) kjo asht fyemje për inteligjencën e çdo shqiptari. Mos flisni n’emën të të tanë shqiptarve sikur ata e pranojnë këtë tregti. Plagët e popullit tonë nuk janë monedhë për me ble rahatinë e koalicionit tuej.
Nëse politika nuk asht profesion por shërbim, atëherë n’cilin kapitull të interesit tonë kombtar hyn mbrojtja e nji ideologjie që e naltson gjenocidin? Nuk ka asnji “pasion” n’servilizëm parlamentar, ka vetëm kalkulim rroge, pushteti e pozite. Do t’ishte shumë ma e ndershme e ma burrnore që t’dilnit e ta thoshit troç: “Nuk guxojmë me prish koalicionin se na ik pushteti”. T’paktën kjo do t’ishte e vërtetë e do t’ju kursente nga kjo akrobaci. Por me vesh interesin e thjeshtë t’karriges me petkun e “parimeve kombtare” dhe me vuajtjet e shqiptarve, nuk asht ma politikë. Asht thjesht nji ambalazhim i mjerë i ikjes nga përgjegjsia para historisë. Ditën e votimit, çdo deputet do ta shkruajë emnin e vet ose pranë dinjitetit njerzor, ose pranë mbrojtsve të xhelatve. Udhë t’mbarë në zgjedhjen tuej…por ta dini se kapitullimin politik do e bani me zgjedhjen e gabueme!
Foto: Komandant Bislim Zyrapi; oficier i armatës boshnjake dhe komandant i brigadës 303 malore, që luftoi kundra forcave të xhelatit Ratko Mlladiq. Masandej shef i shtabit t’përgjithshëm i UÇK-së.




