Von der Leyen viziton Groenlandën, BE rrit mbështetjen ndaj ishullit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Groenlandën të dielën dhe të hënën, në një shenjë të mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian për ishullin, në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përsëritur synimin e tij për ta marrë nën kontroll.
Gjatë vizitës, von der Leyen pritet të nënshkruajë të hënën një deklaratë të përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe Groenlandës, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit të kaluar, Trump ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës për arsye të “sigurisë kombëtare”, duke paralajmëruar se në të kundërt ishulli mund të bjerë nën ndikimin ose kontrollin e Kinës apo Rusisë.
BE-ja ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për sovranitetin e Danimarkës dhe popullit të Groenlandës. Në një deklaratë të përbashkët të janarit, von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksuan rëndësinë e “integritetit dhe sovranitetit territorial” dhe deklaruan se BE-ja qëndronte “në solidaritet të plotë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës”.
Ndërkohë, von der Leyen ka bërë të ditur se Brukseli po përgatit një rritje të konsiderueshme të investimeve evropiane në Groenlandë, me synim forcimin e sigurisë dhe pranisë së BE-së në rajonin e Arktikut.
Komisioni Evropian ka propozuar 530 milionë euro financim për Groenlandën në kuadër të buxhetit të BE-së për periudhën 2028–2034, duke e lidhur këtë mbështetje me rëndësinë në rritje gjeostrategjike të ishullit.
Sipas “Financial Times”, gjatë vizitës së saj von der Leyen pritet të njoftojë edhe një fond shtesë prej 200 milionë eurosh për Groenlandën.
Demi sulmon për vdekje 64-vjeçaren në një festival në Spanjë (VIDEO)
“Apokalips” kibernetik në Gjermani, të dhënat shtetërore në dark web
Tragjedi në Greqi, rrëzohet avioni luftarak Phantom, humbin jetën dy pilotë (VIDEO)
- 17:27 Përfundon raundi i parë i bisedimeve Zelensky-Witkoff-Kushner
- 17:17 Konflikti në Vlorë, reagon biznesmeni Luan Muça
- 17:00 Benet Beci: Zjarret në Bardhaj dhe Myselim nën kontroll, banesat jashtë rrezikut
- 16:53 Ke dhimbje shpine dhe në brryla? Ekspertët: Po luan shumë me telefon
- 16:45 AI po e shikon migrenën si diçka më shumë se thjesht një dhimbje koke
- 16:14 Shpërthen zjarri në një sallë dasmash në Kongo, 22 persona humbin jetën