Llapi e ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit kosovar Elvir Gashijani te Bodrumspori në Ligën e Parë të Turqisë, i cili do ta vazhdojë karrierën në futbollin turk.
20-vjeçari ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Bodrumsporin, klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit të Turqisë.
Gashijani është transferuar te skuadra turke nga Llapi, ndërsa marrëveshja është arritur për shumën prej 150 mijë eurosh.
Klubi nga Podujeva ka ruajtur gjithashtu 20 për qind të kartonit të sulmuesit.
Llapi njoftoi sot për shitjen e tij, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“KF Llapi dhe Bodrum FK kanë arritur marrëveshje për transferimin e futbollistit Elvir Gashijani, me klubin tonë që ka përfituar financiarisht nga ky transferim dhe ka ruajtur përqindje në kartonin e tij. Faleminderit për gjithçka, Elvir, dhe shumë suksese në kapitullin e ri!”, ka shkruar Llapi.
Ndërkohë, Bodrumspori e kishte prezantuar mbrëmë nënshkrimin me Gashijanin.
“Urojmë shumë suksese me fanellën tonë kuq e bardhë Elvir Gashijanit, i cili është një nga pjesët e rëndësishme të projektit tonë afatgjatë”, ka shkruar Bodrumspori në njoftimin zyrtar për transferimin e tij.
Gashijani ishte pjesë e Llapit që nga viti 2023, ndërsa gjatë karrierës në futbollin kosovar ka luajtur edhe për 2 Korrikun dhe Trepçën ’89.
Ai është aktivizuar gjithashtu me Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U17, U19 dhe U21./GazetaExpress/