Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do!” Shqiptarët në Amerikë të “mahnitur” nga Berisha, ish-kryeministri u dërgon mesazh “armiqve”: Ju jeni prapa hekurave, unë jam këtu, me të dyja këmbët!

Shkruar nga Newsbomb
“O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do!”
Pamje nga takimi i Berishes me shqiptaret ne SHBA

“O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, kështu e kanë pritur shqiptarët e Amerikës ish-kryeministrin Sali Berisha, në një takim me diasporën shqiptare në një nga sallat në New Jersey.

Të entuziazmuar, shqiptarët e Amerikës e kanë pritur me duartrokitje dhe kanë kërkuar të shtrëngojnë duart me Berishën, i cili gjatë fjalës së tij u kthye pas në kohë, duke kujtuar vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara, në mars të vitit 1991.

Berisha e cilësoi atë vizitë si një nga udhëtimet më emocionuese të jetës së tij, ndërsa vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në SHBA në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në mbështetjen e Kosovës.

Duke folur për takimin e fundit me shqiptarët e Amerikës, ai e cilësoi edhe këtë vizitë si historike dhe emocionuese, pasi sipas tij shumëkush e kishte menduar si të pamundur. Berisha u ndal te sfidat dhe vështirësitë e viteve të fundit, ku ai u shpall non-grata në Amerikë, duke theksuar se përgjigjja ndaj çdo dyshimi për forcën për të përballuar padrejtësitë mbetet e njëjtë, identiteti shqiptar.

Ndërkohë që pati dhe një mesazh për të gjithë ata që luftuan për ta shpallur non-grata, duke u thënë se sot ata janë “prapa hekurave”, ndërkohë që vetë ai ndodhet aty, në tokën amerikane.

“Të dashur vëllezër, miq, zonja dhe zotërinj shqiptaro-amerikanë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje vëllazërore. Kënaqësinë më të madhe që unë takohem sot me ju, me të njëjtin besim që kam pasur në mars të vitit ’91, në udhëtimin tim të parë në këtë vend të bekuar. Ai ishte një udhëtim më emocionali në jetën time, emocionet vërshonin nga kënaqësia se unë po udhëtoja në drejtimin e duhur pas dekadash që vendi im kishte humbur drejtimin. Kënaqësia ime e jashtëzakonshme ishte se po takoja ju, zëri i pamposhtur i shqiptarëve në liri. Pata fat të madh se takova atë diasporë shqiptare, e cila me atdhetarinë e saj, me idealet demokratike, me idealet kombëtare, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe luftoi me të gjitha mjetet për lirinë e Kosovës.

 Diaspora shqiptare në SHBA është fati i bardhë, i fati i mirë i kombit shqiptar. Për ne sot kjo është një ditë jo e zakonshme, sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur, e ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë, sepse le të jem i sinqertë, shumë prej nesh të paktën njëherë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne, kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne.

Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite, kush jemi ne që zëri ynë i së drejtës të dëgjohet në një botë kur, për fat të keq, gjithmonë dhe më shumë sundohet nga e padrejta, kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh, këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe, i pafuqishëm përballë padrejtësive, por kjo pyetje “kush jemi” e ka një përgjigje që përjetësisht do të jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur, ne jemi shqiptarë! Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë dhe luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë, sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjen tonë, ne jemi shqiptarë ndaj dhe luftojmë në kushte më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë ndaj dhe nuk dorëzohemi, prandaj ditë si kjo të pamundura ne i bëjmë të mundura. Zoti ju bekoftë”, tha Berisha.

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese