Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami, nuk e ka mohuar mundësinë që Valbon Limani dhe Isen Shabani t’i bashkohen koalicionit VLEN.

I pyetur nga portali TS nëse ka bisedime me dy kryetarët e komunave për një kalim të mundshëm në VLEN, Kasami konfirmoi se bisedime të tilla janë duke u zhvilluar, por nuk pranoi të zbulojë emrat.

“Ka bisedime, por nuk do t’i zbuloj emrat”, u shpreh Kasami për portalin TS, lidhur me mundësinë e kalimit të Valbon Limanit dhe Isen Shabanit në VLEN.

Kasami këto lëvizje i sheh si dobësi e opozitës dhe përçarjes që ka në AKI.

“Sigurisht që në skenën politike ka zhvillime, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu te ne, kur e dimë që opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare. Në këtë drejtim janë edhe bisedimet që zhvillohen dhe unë besoj se ditëve në vijim do të ketë edhe veprime konkrete”, deklaroi Kasami për portalin TS.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, mohoi mundësinë e një kalimi të tillë, duke theksuar se Isen Shabani vazhdon të jetë pjesë e strukturave të ASH-së.

“Iseni është kryetar i komunës i zgjedhur nga koalicioni AKI dhe vazhdon të jetë anëtar i kryesisë së ASH-së”, tha Taravari për portalin TS.

Në lidhje me zërat për një kalim të mundshëm në VLEN, edhe Isen Shabani ka publikuar një fotografi me Arben Taravarin, të cilën e ka shoqëruar me mbishkrimin: “Vazhdojmë”.

Zhvillimet e fundit pritet ta bëjnë më dinamike skenën politike në ditët në vijim, veçanërisht nëse konkretizohen zërat për zgjedhje të parakohshme që mund të mbahen në prill të vitit të ardhshëm./TS/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume