Kjo rrugë e shkatërruar është e vetmja lidhje me qendrën për rreth 30 familje në fshatin Bardhaj. Prej më shumë se tre dekadash, banorët përballen çdo ditë me mungesën e infrastrukturës. Bëhet fjalë për një segment rrugor prej vetëm 1 kilometri, i cili asnjëherë nuk ka parë shtresë asfalti. Gropat e shumta e bëjnë kalimin pothuajse të pamundur, si për këmbësorët, ashtu edhe për automjetet.
Banorët thonë se janë të lodhur nga premtimet e paplotësuara ndër vite. Sipas tyre, harresa 30-vjeçare nga pushteti vendor po ua vështirëson jetesën ditë pas dite.
Me ardhjen e stinës së reshjeve, situata këtu bëhet akoma më alarmante. Këto 30 familje kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet vendore për shtrimin e këtij segmenti prej 1 kilometri, për t’u siguruar atyre të paktën kushtet minimale të jetesës.






