
Banorët e Rrjollit kanë protestuar këtë të enjte pranë Prokurorisë së Shkodrës, duke kërkuar shqyrtimin sa më të shpejtë të dokumentacionit që, sipas tyre, e kanë depozituar pranë këtij institucioni prej afro dy vitesh. Ata shprehen se do të vijojnë protestat dhe kanë përcaktuar 12 shtatorin si afatin e fundit për pritjen e një përgjigjeje. Nëse nuk do të ketë zhvillime, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, duke deklaruar se nuk do të lejojnë më hyrjen e automjeteve në kantierin e ndërtimit të resortit turistik.
Gjatë protestës, banorët kanë dorëzuar edhe një kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shkodrës, ndërsa thonë se kanë kërkuar një takim me prokurorin që po shqyrton çështjen. Sipas tyre, takimi u është premtuar të zhvillohet gjatë javës së ardhshme.
Banorët e Rrjollit kanë protestuar prej muajsh kundër ndërtimit të resortit turistik, ndërsa, pavarësisht kundërshtimeve të tyre, punimet në kantier vijojnë me ritme të shpejta.






