
Bota po hyn në një periudhë me rrezik të shtuar për mot ekstrem, ndërsa fenomeni El Niño po forcohet dhe mund të bëhet një nga episodet më të fuqishme të regjistruara në dekadat e fundit.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e OKB-së, paralajmëron se El Niño mund të vazhdojë të ndikojë në modelet e motit global të paktën deri në shkurt të vitit 2027. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se bota ndodhet tashmë në një “zonë rreziku të motit ekstrem”, ndërsa efektet e fenomenit kanë nisur të shfaqen në disa pjesë të globit.
El Niño zhvillohet në Oqeanin Paqësor dhe ndodh kur ujërat e ngrohta zhvendosen drejt lindjes, duke ndryshuar më pas qarkullimin atmosferik dhe modelet e reshjeve në pjesë të ndryshme të botës. Në zonat kryesore të monitorimit në Paqësorin tropikal, temperaturat e sipërfaqes së detit janë aktualisht më shumë se 2 gradë Celsius mbi mesataren.
Parashikimet sugjerojnë se diferenca mund të afrohet deri në 4 gradë Celsius mbi normalen gjatë muajve të ardhshëm. Nëse kjo ndodh, bëhet fjalë për një nga episodet më të forta të El Niño-s që prej fillimit të matjeve moderne, rreth vitit 1950.
Ndikimi i El Niño-s nuk do të jetë i njëjtë kudo. Në disa rajone priten reshje më të mëdha dhe stuhi më të forta. Kina, për shembull, pret një sezon me aktivitet të lartë të tajfunëve, ndërsa në pjesë të Afrikës Lindore, Brazilit jugor dhe SHBA-së jugore pritet mot më i lagësht se normalja. Kjo mund të rrisë rrezikun për përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëmtime të infrastrukturës.
Ekspertët theksojnë se El Niño është një fenomen natyror dhe nuk shkaktohet nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, ngrohja globale mund t’i bëjë pasojat e motit ekstrem edhe më të rënda. “Jemi shumë të shqetësuar, por ky shqetësim duhet të përkthehet në gatishmëri dhe jo në alarm”, tha Miguel Aréstegui, ekspert për rezistencën ndaj klimës.






