Kompania gjermane Isar Aerospace ka arritur të vendosë raketën e saj Spectrum në orbitën e ulët të Tokës, duke shënuar një moment historik për industrinë hapësinore evropiane.
Raketa u lëshua nga qendra hapësinore Andøya në Norvegji, në fluturimin e saj të dytë. Përpjekja e parë, në vitin 2025, zgjati vetëm rreth 30 sekonda përpara se raketa të rrëzohej në det.
Këtë herë misioni ishte i suksesshëm. Spectrum, e gjatë 28 metra dhe me diametër 2 metra, u ngrit nga baza norvegjeze dhe arriti të çojë ngarkesën e saj në orbitën e ulët të Tokës.
Në misionin e quajtur “Onward and Upward” u transportuan gjashtë ngarkesa për përdorim tregtar dhe arsimor, mes tyre disa satelitë të vegjël dhe një eksperiment për testimin e teknologjive të reja në hapësirë.
Agjencia Evropiane e Hapësirës e cilësoi lëshimin si historik, pasi Isar Aerospace u bë kompania e parë evropiane që arrin orbitën me një raketë të zhvilluar vetë.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, tha se suksesi përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një industrie hapësinore evropiane më të pavarur dhe më të larmishme.
Raketa Spectrum është projektuar për të transportuar ngarkesa deri në 1 mijë kilogramë në orbitën e ulët të Tokës dhe fuqizohet nga 10 motorë.
Suksesi vjen në kuadër të programit evropian “European Launcher Challenge”, i cili synon të zhvillojë kompani evropiane të afta të realizojnë lëshime të pavarura në hapësirë dhe të reduktojë varësinë e Evropës nga raketat e huaja.
Isar Aerospace, e themeluar vetëm tetë vjet më parë, është kompania e parë që ka përmbushur këtë objektiv fillestar të programit. Agjencia Evropiane e Hapësirës pret që nga qendra Andøya të zhvillohen edhe lëshime të tjera në të ardhmen.


