11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa 5 të tjera janë nën mbikëqyrje, sipas bilancit të 24 orëve të fundit.
Fieri vijon të jetë një nga zonat më problematike. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse dhe 4 autobote, ndërsa ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me një helikopter dhe një avion “Air Tractor”.
Në malin e Dajtit janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe një helikopter për përballimin e situatës.
Ndërkohë, në Bardhaj të Shkodrës janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse, forca të shumta dhe një helikopter.
Flakët, që vijojnë prej 24 orësh, po përhapen në një sipërfaqe pyjore me pisha. Era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve në terren, ndërsa një vatër që ka zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar.
Në Tërbun është shfaqur një vatër e re zjarri, vetëm pak ditë pasi flakët përfshinë një sipërfaqe prej rreth 3 mijë hektarësh.
Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve.


