Influencerja e njohur spanjolle Rocío Osorno ka përjetuar një nga netët më të frikshme të jetës së saj, pasi dy hajdutë i hynë në shtëpi, ndërsa ajo ndodhej aty bashkë me familjen.
Rocío ishte në katin e sipërm të banesës, duke regjistruar disa video për rrjetet sociale, pa e ditur se në të njëjtën kohë persona të tjerë kishin hyrë në shtëpi.
Një detaj i vogël rezultoi vendimtar për të kuptuar se diçka nuk shkonte. Njëra prej dritareve, e cila sipas saj zakonisht qëndron gjithmonë e mbyllur, ishte e hapur.
Në atë moment, Osorno kuptoi se nuk ishte vetëm dhe reagoi menjëherë. Ajo nisi të bërtiste dhe u kërkoi pjesëtarëve të familjes të shkonin në një vend të sigurt.
Në videon e publikuar prej saj, grabitësit dëgjohen duke folur në shqip:
“Ej… na këtë merre këtë.”
“Ku ta çoj?”
“Hajde të ikim o burrë!”
“Jena keq këtu…”
“Hajde të ikim o burrë se na q*** nanën!”
Influencerja u rrëfeu miliona ndjekësve të saj në rrjetet sociale se ishte e tronditur nga ngjarja dhe tregoi momentin kur kuptoi se në shtëpi kishte hyrë dikush.
“Ishim të gjithë në shtëpi. Isha pikërisht lart duke regjistruar dhe, falë Zotit, pashë dritaren e hapur dhe kuptova se ishte dikush aty, kështu që ika me vrap.”
Sipas rrëfimit të saj, mbërritja e ish-bashkëshortit, deputetit të VOX-it, Jacobo Robatto, ndihmoi që situata të menaxhohej më shpejt.
“Fatmirësisht, Coco sapo kishte ardhur rreth një orë më parë dhe telefonuam menjëherë në 112.”
Shërbimet e emergjencës reaguan menjëherë pas njoftimit për grabitjen në banesë. Patrullat e Gardës Civile mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash, por grabitësit ishin larguar tashmë.
Si dëshmi të ngjarjes tronditëse, Rocío Osorno publikoi në rrjetet sociale edhe pamjet e kamerës së sigurisë të instaluar në dhomën e saj të garderobës.
Në video, grabitësit shfaqen duke lëvizur me shpejtësi nëpër banesë. Të veshur me kapuçë dhe me elektrik dore të vendosur në kokë, ata kontrollojnë sirtarët e bizhuterive dhe raftet e garderobës, në kërkim të sendeve me vlerë.
Osorno ka deklaruar gjithashtu se në zonë janë raportuar edhe raste të tjera të ngjashme.


