Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze që qarkullojnë në kryeqytet, me fokus verifikimin e origjinës së tyre dhe të burimit të pasurisë me të cilën janë blerë.
Në kuadër të kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze në Tiranë.
Për verifikimin e mjeteve është përdorur një aparaturë e posaçme, e cila mundëson kontrollin e të dhënave identifikuese të automjetit. Pas verifikimit në sistem, për mjetet e evidentuara janë kryer kontrolle të mëtejshme lidhur me pronësinë, origjinën dhe historikun e tyre, përfshirë blerjen, shitjen dhe posedimin.
Gjithashtu, janë verifikuar burimet e të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet, me qëllim evidentimin e rasteve kur pasuria mund të jetë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Kontrollet synojnë gjithashtu identifikimin e automjeteve që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm, si dhe parandalimin e përdorimit të pasurive me origjinë kriminale.
Në përfundim të verifikimeve, materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Policia e Tiranës bën me dije se kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë, në funksion të evidentimit dhe goditjes së pasurive me origjinë kriminale, parandalimit të trafikimit të mjeteve dhe luftës kundër pastrimit të produkteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.


