Shqiptarët në Nju Jork do të mund të shohin të hënën në Times Square një mesazh në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më 16 shtator presin vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Mesazhi “Liri për Çlirimtarët” do të shfaqet nga mesnata e së hënës deri në orën 23:59. Fotografia me portretet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit do të transmetohet për 15 deri në 30 sekonda në çdo orë, bëri të ditur Shpend Gjocaj.
Nisma vjen pas aktiviteteve të ngjashme në Kosovë dhe Gjermani. Në Prishtinë është vendosur “Ora e Pritjes”, një instalacion në bulevardin “Nënë Tereza” që numëron mbrapsht, ndërsa i njëjti instalacion është vendosur edhe në Prizren dhe në Dyseldorf.
Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar gjithashtu për një marshim në Prishtinë më 12 shtator, me moton “Kosova po pret”.
Katër ish-krerët e UÇK-së qëndrojnë në Hagë që prej nëntorit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ka nisur në prill 2023, ndërsa në shkurt të këtij viti ata dhanë për herë të tretë deklarimet e tyre para Gjykatës Speciale. Avokatët e tyre kanë kërkuar pafajësinë dhe kanë mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke i cilësuar ato si të pabazuara.



