Aeroporti ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Indonezi pezulloi fluturimet të dielën, pasi hiri vullkanik nga shpërthimi i vullkanit Anak Krakatoa u përhap në hapësirën ajrore përreth.
Vullkani, i cili ndodhet në ngushticën Sunda, mes ishujve Java dhe Sumatra, nisi të shpërthente të shtunën. Shpërthimi u shoqërua me burime llave, ndërsa banorë në disa zona të vendit raportuan edhe zhurma të forta, të ngjashme me shpërthime, si dhe lëkundje.
Autoritetet pezulluan operimet në aeroport rreth orës 01:30 të mëngjesit, pasi u konstatua prania e hirit vullkanik në ajër. Sipas Ministrisë së Transportit, mbyllja u zgjat deri në orën 09:30, për shkak të përhapjes së hirit në zonën e aeroportit.
Mbi 22 mijë pasagjerë janë prekur nga situata, ndërsa 209 fluturime janë anuluar ose ndërprerë. Veçanërisht janë prekur linjat drejt dhe nga Singapori, por probleme janë raportuar edhe në fluturimet për Doha, Sidnej dhe Kuala Lumpur.
Ndërkohë, të paktën 16 fluturime të brendshme drejt Balit janë anuluar.
Anak Krakatoa është një vullkan aktiv në ngushticën Sunda. Autoritetet po monitorojnë situatën ndërsa shpërthimi vijon.


