Leon Avdullahu ka gjetur rrjetën për herë të parë në Bundesligë, por goli i mesfushorit kosovar nuk i mjaftoi Hoffenheimit për të marrë pikë ndaj Borussia Dortmundit.
Mesfushori 22-vjeçar, i cili zakonisht spikat për kontributin e tij në fazën defensive dhe punën para repartit të mbrojtjes, këtë herë u bë protagonist me një realizim të veçantë nga distanca.
Avdullahu shënoi në fundin e pjesës së parë, ndërsa Hoffenheimi e dyfishoi avantazhin në minutën e 54-t. Megjithatë, vendasit nuk arritën ta ruanin epërsinë dhe Dortmundi reagoi fuqishëm, duke shënuar tri herë dhe duke e përmbysur rezultatin.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 86-të, kur mbrojtësi tjetër i Kosovës, Albian Hajdari, shënoi autogol për t’i dhënë Dortmundit epërsinë 3:2.
“Është shumë e hidhur. Luajtëm ndeshje të shkëlqyer për 60 minuta, por jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer. Fitorja ishte e mundur dhe do të ishte e merituar. Për fat të keq, ndeshja zgjat 90 minuta. Duhet të mësojmë nga kjo në mënyrë që të shkojmë deri në fund herën tjetër. Nuk mund të mendojmë se kemi fituar ndeshjen pasi kalojmë në epërsi. Menduam se ndeshja përfundoi. Nuk mund ta bësh këtë kundër Dortmundit”, ka thënë Avdullahu.
Për 22-vjeçarin ky ishte realizimi i parë në kampionatin gjerman pas 35 ndeshjeve. Në të kaluarën, gjatë aventurës së tij në Superligën e Zvicrës, ai kishte shënuar dy gola në 63 paraqitje.
Me fanellën e Kosovës, Avdullahu ende nuk ka arritur të realizojë në shtatë paraqitje. Megjithatë, rëndësia e tij në formacion vazhdon të jetë e madhe, si te përfaqësuesja ashtu edhe te klubi gjerman. Vetë mesfushori ka bërë të qartë se një fitore do të kishte më shumë rëndësi për të sesa goli i shënuar ndaj Dortmundit.
“Pasi shënuam gol, shpesh ishim shumë të ngadalshëm dhe kjo nuk mjafton ndaj Dortmundit. Vladimir Coufal bëri punë të shkëlqyer para golit tim, por unë do të preferoja tri pikët”, ka shtuar Avdullahu.
Hoffenheimi e ka nisur në mënyrë negative sezonin, pasi ka regjistruar dy humbje në dy javët e para. Fillimisht u mposht 3:2 në udhëtim nga Kolni, ndërsa të njëjtin rezultat e pësoi edhe përballë Dortmundit në shtëpi.
Në këtë periudhë, skuadrës po i mungon edhe sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, i cili nuk është në dispozicion për shkak të gjendjes fizike. Mungesa e tij mund të jetë shqetësuese edhe për përzgjedhësin Franco Foda, para sfidave të Kosovës ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
Kosova do të përballet me Irlandën më 24 shtator.