Loading…

Javë vendimtare për institucionet e Kosovës?

  • 06/09/2026 | 15:05

Javë vendimtare për institucionet e Kosovës?

Edhe nëse Kuvendi arrin të konstituohet më 9 shtator, mbetet e paqartë nëse do të ketë vullnet dhe numra të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit.


Kosova gjendet sërish në një udhëkryq politik. Më 9 shtator pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht. Seanca është caktuar për orën 11:00 nga kryesuesi Avni Dehari.

Megjithatë, vazhdimi i saj nuk e ka zgjidhur ngërçin politik. PDK-ja dhe Aleanca kanë kundërshtuar vendimin e Deharit, duke pretenduar se afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit tashmë janë tejkaluar.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar veprime politike, institucionale dhe juridike për, siç ka thënë, rikthimin e ligjshmërisë. Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar vazhdimin e seancës më 9 shtator si “provokim të qëllimshëm”.

Në qendër të përplasjes është mënyra e llogaritjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Opozita konsideron se afati ka nisur pas certifikimit të rezultateve dhe ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa LVV-ja e llogarit atë nga nisja e seancës konstituive, më 6 gusht.

Përballë këtij dallimi në interpretime, PDK-ja dhe Aleanca kanë lënë të hapur mundësinë që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Por ngërçi nuk lidhet vetëm me Kuvendin. Pas konstituimit, institucionet përballen me një tjetër sfidë – zgjedhjen e presidentit.

LVV-ja dhe LDK-ja kanë arritur marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë atë.

Sipas deklarimeve të mëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Sejdiu aktualisht ka 74 vota, ndërsa për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit nevojitet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve.

Kësisoj, edhe nëse Kuvendi arrin të konstituohet më 9 shtator, mbetet e paqartë nëse do të ketë vullnet dhe numra të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë