Zjarri që ka përfshirë disa zona të Shkodrës vijon të jetë aktiv edhe pas më shumë se një dite, duke shtrirë vatrat në territorin e Myselimit dhe kodrat përreth Bardhajve, transmeton Gazeta Metro.
Flakët kanë përfshirë kryesisht zona me bimësi dhe pyje me pisha. Kushtet e pafavorshme atmosferike, veçanërisht erërat e forta, së bashku me terrenin e vështirë, po e bëjnë më të komplikuar operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit.
Situata paraqitet më shqetësuese në Bardhaj, ku vatra e zjarrit është afruar pranë zonave të banuara. Një prej banorëve ka bërë të ditur se nga flakët i janë shkaktuar dëme në ullishte, si dhe në disa prej makinerive që përdor për punë, raporton Abcnews.al.
Ekipet e emergjencës vazhdojnë përpjekjet për izolimin e vatrave. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës nga Shkodra, ndërsa në ndihmë të tyre kanë dalë edhe forcat nga Vau-Dejësi. Për shuarjen e flakëve po përdoret gjithashtu një helikopter.
Deri tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat ku zjarri paraqet rrezik më të madh.