Kosova po e pret “vjeshtën e zgjerimit të Bashkimit Evropian” në një pozitë aspak të mirë. Në Bruksel po flitet për një periudhë të re në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të bëjnë hapa të mëdhenj drejt BE-së, transmeton Gazeta Metro.
Madje, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se viti 2026 mund të mbahet mend si një prej viteve më të suksesshme për zgjerimin e Unionit.
“Është duke ardhur vjeshta e zgjerimit. 2026-a është tashmë një vit rekord progresi. Dhe ne planifikojmë të arrijmë edhe më shumë”, ka deklaruar Kos para takimit joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të mbajtur këtë javë në Dublin.
Problemi është se Kosova këtë vjeshtë po e pret me hallin e njëjtë sikurse vitin e kaluar, ende nuk po arrin t’i bëjë institucionet e veta funksionale, tash e sa kohë. Dhe kjo po kushton.
Që nga viti 2022, kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, vendi ende nuk e ka kaluar as hapin e parë formal të procesit.
Ndërkohë, fqinjët po ecin përpara dhe disa prej tyre synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian para vitit 2030.
Pra, ndërsa në Bruksel po diskutohet se si BE-ja do t’i presë anëtarët e rinj, Kosova vazhdon të merret me krizën politike dhe me formimin e institucioneve.
Dhe këtu vjen një tjetër problem i madhe që janë paratë e BE-së. Një tjetër humbje dhe tërheqje një hap prapa nga shteti më i ri dhe më i varfër në Ballkan.
Kosova rrezikon të humbë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes, i cili për Ballkanin Perëndimor kap vlerën prej rreth 6 miliardë eurosh.
Për Kosovën, bëhet fjalë për më shumë se 880 milionë euro, një pjesë grant dhe pjesa tjetër kredi.
Por paratë nuk jepen thjesht sepse janë paraparë për Kosovën. Ato lidhen me reforma dhe me përmbushjen e kushteve konkrete që Kosova s’po i bënë.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se deri tani vendi ka humbur tashmë një shumë të konsiderueshme.
Sipas tij, rreziku nuk përfundon këtu. Për periudhën deri në fund të dhjetorit, Kosova rrezikon të mos i marrë edhe 166 milionë euro të tjera.
“E dimë që deri në fund të muajit qershor ne i humbëm më shumë se 50 milionë euro”, ka thënë Jakaj.
Arsyeja është e thjeshtë – për të marrë këto para duhen institucione që funksionojnë. Duhen ligje. Duhen strategji. Duhen vendime. Duhen organe që janë të kompletuara dhe që mund të punojnë normalisht.
E Kosova pikërisht këto gjëra po i ka problem pikërisht nga kryeneçësia e kokëfortësia politike, e që Jakaj thotë se pasojat e krizës së dy viteve të fundit janë shumë më të mëdha sesa thjesht një bllokadë politike.
“Ajo çka po ndodh dy vitet e fundit ka të bëjë me rrënim të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe procesit demokratik në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Dhe këtu situata bëhet edhe më shqetësuese.
Edhe nëse Kuvendi arrin të konstituohet dhe Qeveria të funksionalizohet, koha që do të mbetet për t’i kryer reformat është shumë e shkurtër.
Jakaj thotë se Kosova mund t’i marrë fondet nëse institucionet arrijnë t’i përmbushin kushtet në kohë, por për këtë do të duhej një angazhim jashtëzakonisht i madh.
“Duhet si me thënë të punojë edhe Kuvendi edhe qeveria nga 18 orë. Me 6 orë gjumë”, ka thënë ai.
Profesor Daniel Serwer e ka thënë shumë thjesht e çartë se Kosova nuk mund të synojë të afrojë veten me BE-në nëse institucionet nuk janë në gjendje të kryejnë as funksionet e tyre elementare.
“Kosova supozohet të jetë duke u përgatitur për anëtarësim në BE. Por, vështirë se mund të presë të shkojë larg nëse institucionet e saj shtetërore nuk janë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre themelore. Zgjedhja e një presidenti është padyshim minimumi që parlamenti duhet të jetë në gjendje të bëjë”, ka deklaruar Serwer.
Dhe ky është ndoshta thelbi i gjithë situatës.
BE-ja po përgatitet për zgjerim. Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen gjithnjë e më shumë me anëtarësimin. Fondet evropiane janë në tavolinë.
Ndërsa Kosova? Kosova po humb kohë. Po humb para. Po humb ritmin me rajonin. Dhe mbi të gjitha, po humb edhe durimin e partnerëve evropianë, të cilët gjithnjë e më shumë presin që Kosova t’i zgjidhë vetë problemet e saj politike dhe t’i krijojë institucionet që mund të bëjnë punën.
Plani i Rritjes ishte një mundësi e madhe për Kosovën. Kuvendi më 13 shkurt 2026 i miratoi marrëveshjet me BE-në, me 104 vota pro, ndërsa pesë deputetë të Listës Serbe abstenuan./gazetametro.net