Diplomati Albert Prenkaj ka ngritur shqetësime lidhur me situatën institucionale në vend pas moskonstituimit të Kuvendit brenda afateve kushtetuese, duke argumentuar se Kosova ndodhet në një “vakum të vërtetë kushtetues” dhe në një ngërç institucional.
Sipas Prenkajt, Kushtetuta parasheh që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i kandidatëve për deputetë, afat që sipas tij ka skaduar më 7 gusht.
“Nëse të gjitha afatet kushtetuese kanë skaduar dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar, Kosova hyn në një vakum të vërtetë kushtetues dhe në një ngërç institucional”, ka shkruar ai.
Ai vlerëson se në rast të një bllokade të plotë politike, një institucion ose subjekt i autorizuar duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim autoritativ.
“Zgjidhja nuk duhet të jetë thjesht të deklarohet: ‘Kanë kaluar 30 ditë, prandaj duhet shkuar në zgjedhje’. Duhet të ekzistojë një bazë kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, thekson Prenkaj.
Ai argumenton se skadimi i afateve kushtetuese përbën shkelje kushtetuese, por pasojat e kësaj situate nuk mund të përcaktohen në mënyrë arbitrare nga institucionet apo subjektet politike.
“As Presidenca, as KQZ-ja, as partitë politike dhe as e ashtuquajtura ‘Qeveri në detyrë’ nuk mund të krijojnë arbitrarisht një pasojë që Kushtetuta nuk e përcakton”, shprehet ai.
Prenkaj e konsideron Gjykatën Kushtetuese si institucionin kyç për zgjidhjen e ngërçit dhe krijimin e precedentëve për raste të ngjashme në të ardhmen.
Në pjesën e dytë të reagimit të tij, ai kritikon qasjen e pushtetit qendror ndaj komunave, duke e cilësuar si centralizim të pushtetit dhe relativizim të autonomisë lokale.
“Teza e shtrirjes së pushtetit më afër qytetarit, e lexuar nga konteksti i ndërhyrjes së qeverisë në kompetencat komunale, është pa dyshim centralizim i pushtetit”, ka deklaruar ai.
Sipas Prenkajt, komunave me shumicë shqiptare po u kufizohen kompetencat, ndërsa njëkohësisht po krijohen mekanizma që rrisin autonominë e komunave me shumicë serbe.
“Komunave me shumicë shqiptare u merren kompetenca substanciale duke i shndërruar në spektator administrativ”, thotë ai.
Në fund, diplomati vlerëson se kombinimi i shkeljeve kushtetuese, boshllëkut institucional dhe ndryshimeve në raportet mes pushtetit qendror dhe atij lokal po e çon shtetin drejt një realiteti që ai e përshkruan si “Lala Land”.
“Krijimi i boshllëkut institucional shtetëror përmes shkeljeve permanente kushtetuese, marrja e kompetencave të pushtetit lokal të komunave shqiptare, gjegjësisht rritja e autonomisë së Bashkësisë së komunave serbe, e bën këtë shtet Lala Land (bota e iluzioneve)”, ka përfunduar Prenkaj