Dy punëtorë nxirren të gjallë nga tuneli ku mbetën të bllokuar në Nepal
Dy punëtorë janë nxjerrë të gjallë nga tunelet e një hidrocentrali në Nepal, nëntë ditë pasi mbetën të bllokuar nga përmbytjet e fuqishme që goditën vendin. Punëtorët ndodheshin në një thellësi prej rreth 170 metrash në atë që konsiderohet si një prej zonave më të prekura prej katastrofës së javës së kaluar. Autoritetet thanë se të dy personat kanë pësuar lëndime në duar dhe këmbë. Pas shpëtimit, ata janë transportuar me helikopter drejt një spitali në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi besohet se të paktën 39 persona të tjerë ndodhen ende të bllokuar në të njëjtin tunel. Ndërkohë, më shumë se 100 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur në një rrjet tunelesh që ndodhen në zonat e hidrocentraleve përgjatë lumit Trishuli. Nga përmbytjet katastrofale të cilat dyshohet se u shkaktuan nga një shembje akullnajore, jetën e humbën më shumë se 1200 viktima ndërsa mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur./Alsat.mk.








