Guna Tactical, investim strategjik që punëson njerëz dhe ndikon çdo ditë në komunitet

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka ndarë pamje nga kantieri i kompanisë “Guna Tactical”, ku po vijon ndërtimi i një prej investimeve më të rëndësishme të partneritetit publik-privat në industrinë shqiptare të mbrojtjes.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Nufi thekson se “Guna Tactical” do të prodhojë veshje ushtarake jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për tregun rajonal dhe vendet e tjera.

“Sot mbi 290 persona punojnë në këtë industri, ndërsa numri i tyre pritet të shkojë mbi 1,000 në momentin që kantieri do të jetë plotësisht funksional”, u shpreh ministri.

Nufi vuri veçanërisht theksin te ndikimi i investimit në punësim dhe në komunitetin përreth, duke e cilësuar industrinë e mbrojtjes si një sektor që, përveç gjenerimit të të ardhurave, krijon vende pune dhe mundësi të reja zhvillimi.

“Jemi krenarë për faktin që kjo industri jo vetëm gjeneron të ardhura, por punëson njerëz dhe ndikon në komunitet çdo ditë”, deklaroi Nufi.

“Guna Tactical” është krijuar si një ndërmarrje e përbashkët mes ndërmarrjes shtetërore KAYO dhe kompanisë private MSSC. Aktiviteti i saj përfshin projektimin, prodhimin, tregtimin dhe eksportin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve, me fokus Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të sigurisë, vendet e rajonit dhe aleatët e NATO-s.

Investimi synon të forcojë kapacitetet vendase të industrisë së mbrojtjes, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë prodhuese për uniforma dhe pajisje ushtarake edhe për tregjet ndërkombëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply